Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani muaj më parë caktoi 23 prillin, datë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore.
E për mbajtjen e tyre KQZ tashmë ka nisur përgatitjet. Në këto zgjedhje nuk do të marr pjesë Lista Serbe.
Kjo parti ditë më parë njoftoi se nuk janë plotësuar kërkesat e tyre, të cilat kanë bërë që ata të largohen nga institucionet e Kosovës.
Ndonëse njoftimin që s’do të marrin pjesë në këto zgjedhje ata e bënë përmes Facebook-ut, një gjë të tillë ata nuk e kanë bërë zyrtare në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Për të dorëzuar njoftimin për mospjesëmarrje, Lista Serbe ka kohë deri më 13 mars, derisa afati për të aplikuar për certifikim është i hapur deri më 22 mars.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Ai tha se ky institucion ka pranuar deklarime për mospjesëmarrje nga 8 parti politike.






