Në kuadër të procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka mbajtur sot një mbledhje të jashtëzakonshme
Në njoftimin e ZRRE-së bëhet e ditur se Bordi ka vendosur të lëshojë licencën për furnizim me energji elektrike për ndërmarrjen “VOLTKOS S Sh.p.k.”, shkruan IndeksOnline.
Sipas ZRRE-së, ky është një hap që kontribuon drejtpërdrejt në zgjerimin e ofertës dhe rritjen e konkurrencës në tregun e furnizimit me energji elektrike në Kosovë.
“Gjithashtu, sipas parimit të reciprocitetit, Bordi ka njohur licencën e ndërmarrjes “AI EnergyX – Dega në Kosovë”, duke i mundësuar kësaj kompanie që të veprojë në tregun vendor në përputhje me legjislacionin në fuqi” thuhet në njoftim të ZRRE-së.