10/06/2025

147-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kurti: I dha pozicion të qartë politik shqiptarëve

- Advertisement -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në shënimin e 147-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila u mbajt në hapësirat e Lidhjes në këtë qytet.

Ai theksoi se nuk ka ndryshuar kurrë thirrja e kësaj ngjarje të përvitshme “Lidhja është gjallë.

“’Lidhja Shqiptare’ me seli në Prizren, është pika më kulmore e Lëvizjes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ajo është Rilindja Kombëtare në akt politik. Lidhja Shqiptare, e cila u themelua në Prizren, në Xhaminë e Bajrakut me 10 Qershor 1878, paraqet një lloj nyje tek e cila përbashkohen të gjitha çështjet kyçe dhe temat qendrore të historisë moderne të shqiptarëve dhe kjo, si në kontekstin e brendshëm shqiptar, ashtu edhe në gjendjen e shoqërisë botërore të asaj kohe”, tha ai.

Ndër të tjera, kryeministri përmendi faktin se Lidhja Shqiptare u formua si organizatë politike, e cila do ta artikulonte vullnetin politik të të gjithë shqiptarëve karshi vendimeve të Kongresit përkatësisht Traktatit të Berlinit.

Themelimi i Lidhjes do t’i jepte zë mendimit politik të Sami Frashërit dhe të Pashko Vasës, dy emra të mirënjohur edhe brenda vetë sferës publike osmane.

Kryeministri theksoi se për herë të parë në një interval disa shekullor historik, Lidhja po themelonte një kahe të re, atë të idesë së bashkimit në ide e përfaqësim e përpjekje të shqiptarëve.

“Ajo po bashkonte rreth një projekti të vetëm politik kombëtar përtej dallimeve fetare, krahinore e fisnore, numrin maksimal të shqiptarëve në të katër vilajetet e banuara me shumicë shqiptare. Qëllimi ishte një vilajet shqiptar i mëvetësishëm si njësi unike në hapësirën e Rumelisë, siç quheshin territoret evropiane të Perandorisë Osmane atëbotë. Lidhja i dha pozicion të qartë politik shqiptarëve sa i takon premisës tashmë gjerësisht evropiane të rezultimit të çdo kombi të vërtetë me një shtet për vete”, tha kryeministri.

Në 147-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kryeministri tha se Lidhja dhe mendimtarët e Rilindjes e thanë qartë si një Ballkan i qetë dhe me të ardhme premtuese është Ballkani ku shqiptarët respektohen në gjuhën, numrin dhe territorin e tyre. Ata kërkonin atë që u takonte, dhe mëvetësinë nuk e donin për të dominuar të tjerët, por për të qenë të barabartë me të tjerët.

“Le të mendojmë sa herë që përmendim Lidhjen, edhe Rilindjen, këtë lëvizje të madhe të mendimit dhe të gjuhës të përbërë nga njerëz të një dije të lartë e të shquar, të vendosur më shumë se kurrë përpara një të shkuare të pashtjelluar kombëtare dhe një horizonti të ndërlikuar ndërkombëtar. Andaj, i shkon një nderim monumental të tërë atyre njerëzve që e ideuan Lidhjen dhe që e themeluan atë në qytetin e bukur të Prizrenit”, shtoi Kurti. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...