Në media u publikuan përgjime ku dëgjohen zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që bisedojnë rreth nënshkrimit të kontratës për blerjen e grurit vitin e kaluar e që dyshohet se ka mungesë të këtij produkti në rezervat shtetërore.
Deputeti i LDK-së Arben Gashi ka thënë se keqpërdorime të tilla me rezervat shtetërore kërkojnë hetime serioze dhe përmbajtjesore, prandaj ka theksuar se me fillimin e sesionit vjeshtor LDK-ja do të kërkojë që të formohet një komision hetimor parlamentar për hetimin e kësaj çështjeje, raporton Zeri.info.
Gashi tha se një hetim parlamentar është i domosdoshëm për të parë nga afër se sa janë respektuar ligjet dhe procedurat për çështjen e rezervave shtetërore nga Qeveria aktuale.
“Në këtë kontekst, LDK-ja me fillimin e sesionit vjeshtor do të kërkojë të formohet një komision hetimor parlamentar për të hetuar keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore”, thuhet në reagim. /Zëri