Bombardimet e ushtrisë izraelite kanë lënë të vrarë dhjetëra civilë në strehimoret e Kombeve të Bashkuara në zonën e luftimeve në Rripin e Gazës.
Të shtunën sulmet janë intensifikuar në qytetin e rrethuar në kohën e shqetësimeve ndërkombëtare për ngritjen e numrit të të vrarëve dhe thellimit të krizës humanitare.
Kryqi i Kuq ka deklaruar se të paktën 15 persona janë vrarë kur një ambulancë u godit me raketë në afërsi të spitalit më të madh në Gaza.
Ushtria izraelite ka njoftuar se qyteti i Gazas është i rrethuar plotësisht me qëllim që të shtypet Hamasi, por të shtunën ka ofruar tre orë kohë për banorët që të largohen nga zona e luftimeve në drejtim të jugut të qytetit.
SHBA-ja ka njoftuar se në veri të Gazas janë deri në 400 mijë civilë, ndërkaq Kombet e Bashkuara kanë deklaruar se asnjë zonë e Gazas nuk është e sigurt.
Sulmet izraelite janë kryer në kohën e vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken për të gjetur mënyra për largimin e civilëve nga luftimet.
Ai është takuar me ministrat e Jashtëm të Egjiptit dhe Jordanisë. Ka porositur se SHBA-ja vazhdon të besojë në zgjidhjen dy-shtetërore. Mirëpo me dy homologët e tij, Blikeni pati dallim sa i përket armëpushimit.
Kryediplomati amerikan ka thënë se armëpushimi do t’i mundësonte Hamasit që të rigrupohej dhe kërkon pauzë humanitare për t’u ndihmuar civilët.
“Qëndrimi ynë është se armëpushimi thjeshtë do ta linte Hamasin aty, me mundësi të rigrupimit dhe të përsërisë atë që bëri më 7 tetor. Dhe vetëm para dy ditësh, një zyrtar i Hamasit tha se do ta përsërisnin sulmin përsëri. Askush prej nesh nuk e pranon këtë”, ka thënë Blinkeni.
Prioritet për Jordaninë është fundi i menjëhershëm i luftës.
“Prioritet tani është fundi i kësaj lufte dhe të shpëtohen jetët e pafajshme, parandalimi i mëtejshëm i shkatërrimit. Të gjitha jetët kanë rëndësi për ne”, ka thënë Safadi.
Zyrtarët egjiptianë kanë thënë se së bashku me Katarin kanë propozuar pauzë humanitare nga gjashtë deri në 12 orë çdo ditë për të lejuar ndihmat në Gaza dhe evakuimin e civilëve.
Ata kanë kërkuar nga Izraeli lirimin e disa grave dhe të moshuarve të burgosur në këmbim të disa pengjeve që po mbahen nga Hamasi, por Izraeli deri të shtunën nuk e ka pranuar këtë propozim.
Ndaj luftës mes Izraelit dhe Hamasit ka reaguar presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Në një fjalim të shtunën, presidenti turk luftën në Gaza e ka krahasuar me Srebrenicën gjatë vitit 1995. Erdogani ka thënë se historia e standardeve të dyfishta dhe paligjshmërisë po shkruhet në Evropë.
Ministria palestineze e Shëndetësisë ka njoftuar se deri të shtunën janë regjistruar 9 mijë e 400 të vrarë nga bombardimet izraelite. /koha