22/12/2024

Lajçaku thotë se ka përparim në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut

- Advertisement -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

të fundit...

- Advertisement -spot_img

I dërguari i BE-së, Lajçak, theksoi se e ardhmja evropiane e rajonit të Ballkanit Perëndimor nuk mund të shihet as ëndërr, pa normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, tha të enjten në Bruksel se ka progres në zbatimin e disa marrëveshjeve të arritura në dialogun ndërmjet të dyja palëve. Ai e tha këtë gjatë debatit për zgjerim të zhvilluar nga organizata “Miqtë e Evropës“.

Lajçaku theksoi se e ardhmja evropiane e rajonit të Ballkanit Perëndimor nuk mund as ëndërr të shihet pa normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Normalizimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë është një çështje me rëndësi strategjike. Pa këtë normalizim nuk mund as të ëndërrojmë të ardhmen evropiane. Kemi progres kohëve të fundit në këtë drejtim. Së shpejti do ta mbyllim dosjen e energjisë, ka progres në çështjen e targave, në çështjen e personave të pagjetur, në çështjen e zgjedhjeve lokale në veri dhe në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve”, deklaroi Lajçaku, duke shtuar se ai është në kontakt të vazhdueshëm me palët për të vazhduar me zbatimin, shkruan Rel.

Ai bëri thirrje që të mos humbet koha për implementimin e obligimeve nga dialogu dhe të mos humbet rasti për avancim në rrugëtimin drejt BE-së. Lajçaku theksoi se viti i ardhshëm do të jetë një vit me kalendar të ngjeshur politik, sepse do të ketë zgjedhje në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas Lajçakut, tash është një moment i ri në procesin e zgjerimit, që është shumë më i favorshëm sesa më parë. Ky moment i ri, tha ai, është krijuar nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe agresioni i tij ndaj Ukrainës”.

Megjithatë, emisari i BE-së tha se “gjeopolitika e ka hapur derën për integrim në BE, por ajo nuk do t’ju kalojë vetvetiu juve përmes kësaj dere, sepse për një gjë të tillë duhet të përmbushen kushtet”.

“Për herë të parë e shoh BE-në më të gatshme për Ballkanin sesa Ballkani për BE-në”, u shpreh Lajçaku duke përsëritur që vendet e rajonit duhet t’i zgjidhin të gjitha çështjet e hapura në mes tyre, në mënyrë që një ditë të mos mund të bllokojnë njëra-tjetrën në rrugën drejt BE-së.

Në Bruksel po zhvillohet debati kushtuar procesit të zgjerimit të organizuar nga “Miqtë e Evropës”.

Në këtë debat, Bashkimi Evropian porositi vendet e Ballkanit Perëndimor se nuk ka më kohë për të pritur që t’i normalizojnë raportet ndërmjet tyre porse kjo duhet të bëhet shpejt, si kusht për të shfrytëzuar mjetet nga plani për rritje ekonomike i miratuar më 8 nëntor nga Komisioni Evropian.

Plani për rritje ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor parasheh një paketë të madhe të asistencës financiare prej 6 miliardë eurosh për periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027. Sipas planit, nga kjo shumë, deri në 2 miliardë euro do të shkonin si asistencë pa kthim, ndërsa 4 miliardë në formën e kredive të favorshme apo të investimeve kapitale. Një pjesë e këtyre mjeteve financiare do të mund të shkonin përmes pagesave direkte në buxhetet e vendeve të rajonit për t’u përdorur për këto qëllime.

“Ne do ta kushtëzojmë planin e rritjes me normalizimin e raporteve. Kjo duhet të Duhet të ketë përparim në këtë [aspekt]. Nuk kemi më kohë për të pritur”, deklaroi Coopman. Ai tha se vlera e mjeteve nga ky plan është e madhe dhe nëse shtetet nuk i shfrytëzojnë, qytetarët do të humbasin.

Ministri për çështje evropiane i Çekisë, Martin Dvorak, rikujtoi se nuk do të ketë mundësi për asnjë vend kandidat që të shmangë përmbushjen e kritereve në procesin e avancimit drejt BE-së.

Ndërsa, ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, bëri thirrje që BE-ja të dëshmojë se kësaj radhe mundësia për integrim në BE është vërtet reale. Ai tha se Serbia po bën shumë në procesin e reformave sikur edhe në ndihmën për Ukrainën.

“Serbia po bën shumë për Ukrainën, por ju lutem të mos e bëni të madhe këtë, sepse nuk do të ishte në interes të të gjithëve në Serbi“, tha Hill.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...