Një familje në fshatin Kçiq në Mitrovicë pa tmerrin me sy mbrëmë, kur një bombolë gazi shpërtheu duke lënë të lënduar kështu 15 anëtarët e kësaj familjeje.
Të lënduarit u dërguan me urgjencë në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Mitrovicë, ku për shkak të gjendjes së rëndë, 14 nga ta janë transferuar për trajtim të mëtutjeshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa njëri u lirua në shtëpi.
Në përditësim mbrëmë vonë që dha Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar për gjendjen shëndetësore të viktimave, u njoftua se pacientët janë transferuar në Klinika të ndryshme të QKUK-së.
Sipas komunikatës për media, katër nga të lënduarit janë në gjendje më të rëndë dhe të njëjtit po trajtohen në Mjekimin Intensiv Qendror.
“4 pacientë janë transferuar për mjekim të mëtejshëm në Mjekimin Intensiv Qendror, meqë kanë gjendje më të rënduar shëndetësore nga djegia.
8 pacientë janë transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, ku po e vazhdojnë trajtimin dhe mbikqyrjen nga stafi shëndetësorë.
2 në Kirurgjinë Abdominale dhe 1 do të transferohet në Kirurgji Torkale”, u tha në njoftim.
E Policia e Kosovës ka dhënë detaje nga ngjarja që ndodhi dje, ku u tha se bombola kishte shpërthyer në bodrumin e shtëpisë ku banorët po qëndronin.
Shkaqet e shpërthimit ende nuk dihen, përveç të lënduarve janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale.
“Katërmbëdhjetë persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në bodrumin e shtëpisë ku po qëndronin. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Shkaqet e shpërthimit ende nuk dihen. Përveç të lënduarve si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale”, thuhet në raportin e policisë.
Në vendin e ngjarjes përves njësive të nevojshme policore kishin dalë edhe zjarrfikësit dhe eksperti i zjarrit.
“Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente.“