Presidentja, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministren për Zhvillim Social dhe Familje të Katarit, Maryam bint Ali bin Nasser Al-Misnad.
Siç thuhet në njoftim e Presidencës, Osmani ka theksuar se vlerëson mbështetjen e vazhdueshme të Katarit.
“Katari ka qenë një mbështetës i vazhdueshëm i Kosovës, ndaj Presidentja Osmani e ka falënderuar ministren Al- Misnad, si dhe lidershipin e Katarit. Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vlerëson thellësisht mbështetjen e vazhdueshme të Katarit, veçanërisht në ndihmën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, por edhe për ofrimin e ndihmave humanitare gjatë dhe pas luftës’, thuhet në njoftim.
Më tej, Osmani ka nënvizuar rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të raporteve me Katarin, teksa ka përmendur fushën e mirëqenies sociale, mbështetjen për invalidët e luftës, sektorin e shëndetësisë, turizmin si dhe projekte të tjera investuese.