Shefi i trupave paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara, Jean-Pierre Lacroix, i ka thënë Këshillit të Sigurisë se siguria e mbi 10,400 paqeruajtëve në Liban është “gjithnjë e më shumë në rrezik” dhe se operacionet praktikisht kanë ndaluar që nga fundi i shtatorit – me përshkallëzimin e Izraelit kundër Hezbollahut në Liban.
“Paqeruajtësit janë mbyllur në bazat e tyre me periudha të konsiderueshme në strehimore”, ka thënë ai.
Deklarata e tij erdhi pasi misioni i paqeruajtësve të OKB-së në Liban ka thënë se forcat izraelite gjuajti mbi pozicionet e tyre, duke plagosur dy paqeruajtës. Misioni, që quhet Unifil, ka thënë se sulmi mbi paqeruajtësit është “shkelje e rëndë e të drejtës ndërkombëtare humanitare”, raportoi Guardian.
Shtëpia e Bardha ka theksuar se SHBA-ja është e shqetësuar nga këto raportime dhe se i kërkon Izraelit detaje. Ushtria izraelite ka thënë se trupat e tij operojnë në zonën Naqoura afër bazës së Unifilit dhe se kishin udhëzuar që paqeruajtësit të qëndrojnë në hapësira të mbrojtura.
Paqeruajtësit ishin të vendosur të qëndronin në pozicionet e tyre pavarësisht sulmeve të Izraelit dhe urdhrave të ushtrisë izraelite për t’u larguar, ka thënë zëdhënësi i OKB-së, Andrea Tenenti.
“Ne jemi atje sepse Këshilli i Sigurisë së OKB-së na ka kërkuar të jemi atje. Kështu që do të qëndrojmë derisa situata të bëhet e pamundur për ne të operojmë”, ka theksuar Tenenti. /koha