Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut, të cilët së bashku me Hajredin Kuçin akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Në vendimet e ndara, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marijorie Masselot ka thënë se ekziston dyshimi i bazuar se katër të akuzuarit kanë kryer krime që bien në juridiksionin e DhSK-së.
Sipas vendimeve të marra më 3 tetor 2025, për katër të akuzuarit është konstatuar se ka rrezik qe ata t’i ikin drejtësisë, të pengojnë procedurat ose të kryejnë krime të tjera.
Kur jemi tek rreziku i pengimit të procedurave, duke u fokusuar tek Thaçi, gjyqtarja e procedurës paraprake ka konstatuar se ai pretendohet se ka qenë si pjesë udhëheqëse e tri grupeve me të cilat ka bashkërenduar për të ndërhyrë në dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë në rastin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së (Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi).
“…veprimet e tij tregojnë këmbëngulje në përpjekjet për pengimin e procedurave të DhSK-së edhe nga brenda Qendrës së Paraburgimit të DhSK-së, përfshirë duke shfrytëzuar ndikimin e tij mbi ish-anëtarë të UÇK-së besnikë ndaj tij dhe persona nga rrethet e tij politike, si bashkë të akuzuarit e tij në këtë rast; (iv) gjetjet e mëparshme sugjerojnë se, në të kaluarën, z. Thaçi ka tentuar të minojë DhSK-në dhe, përmes rretheve të tij, ka ofruar përfitime për persona të cilët janë thirrur nga ZPS për të dhënë informacion; (v) z. Thaçi është në dijeni për akuzat dhe provat ndaj tij; dhe (vi) ndërgjegjësimi i tij i shtuar për provat inkriminuese kundër tij i ofron atij një shtysë për të ndërhyrë tek dëshmitarët ose për të penguar përparimin e procedurave”, thuhet në vendimin ndaj Hashim Thaçit.
Po ashtu, për Thaçin thuhet se ndonëse rasti i Prokurorisë në gjykimin për krime lufte ka përfunduar, kjo nuk e shuan rrezikun e pengimit të procedurave. Përveç tyre, rreziku i pengimit të procedurave sipas gjyqtares ndërlidhet edhe me rastin aktual.
Po ashtu, argumenti i mbrojtjes se Kilaj nuk do e rrezikonte largimin nga familja e të arratiset, sipas gjyqtares së procedurës paraprake, është spekulativ.
Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.
Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.