Dr. Shefqet Krasniqi
Me këtë shkrim po fillojmë një vit të ri kalendarik, vitin 2023, për të vazhduar me nga një shkrim në çdo javë, siç edhe kemi vepruar më parë që nga viti 2009. Kur kemi bërë shkrime me tema të ndryshme, të cilat shumë nga to i kam publikuar nëpër gazeta e portale, e pastaj që të gjitha i kam përmbledhur në 13 vëllime të titulluara “Qëndrime në kohë”.
Shumë shpejt kaluan 13 vjet, e bashkë me to kaloi edhe një pjesë e madhe e jetës sime dhe e të gjithëve atyre që janë gjallë. Kështu që për çdo ditë, javë muaj e vit ne po i afrohemi vdekjes, ajo nuk shmanget nga çasti i paracaktuar, ndërsa ne, asaj pike dhe atij çasti po i afrohemi për çdo ditë e më shumë.
Kalimi i shpejtë i kohës është edhe prej shenjave të kiametit, çfarë nënkupton se ne për çdo ditë po i afrohemi më afër Kiametit dhe se nuk ka mbetur edhe shumë kohë deri në fund. Këtë e ka paralajmëruar i Dërguari i Zotit, Muhamedi, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, ku thotë:
لا تقومُ السّاعةُ حتّى يتقارَبَ الزَّمانُ، فتَكونُ السَّنةُ كالشَّهرِ، والشَّهرُ كالجُمُعةِ، وتَكونُ الجمعةُ كاليَومِ، ويَكونُ اليومُ كالسّاعةِ، وتَكونُ السّاعةُ كالضَّرمةِ بالنّارِ.
“Nuk do bëhet Kiameti përderisa të përafrohet koha, ashtu që viti duket (se kaloi) si një muaj, e një muaj duket (se kaloi) si një javë, e një javë si një ditë, e një ditë si një çast, e një çast (orë) si një fije bari që digjet (shumë shpejt) nga zjarri”.[1]
Këtë thënie e ka thënë ai i bekuar para 15 shekujve, mirëpo peshon tamam sikurse ta kishte thënë tani, ne jemi duke e përjetuar këtë tashmë në këtë kohë, ku të gjithë jemi duke e vërejtur sesa shpejt po kalon koha.
Krejt kjo nuk ka shumë rëndësi, sepse nuk është në dorën tonë, por ajo çfarë është e rëndësishme për ne është puna jonë, veprat tona, çfarë po punojmë për botën tjetër, çfarë do marrim me vete nesër në varr?!
Njeriu për nga natyra nuk e do vdekjen, nuk dëshiron që t’i thuhet se je afër vdekjes, se ke për të vdekur, etj., ama në vetëdijen e tij secili e ka këtë bindje, se ai patjetër duhet që të vdesë, se duhet për t’u lëshuar në varr, e ndërsa varri është si një lloj sënduku i mbushur me vepra: o të mira o të liga, pastaj në bazë të atyre veprave është edhe jeta jonë në varr.
Kaloi një vit me 365 ditë, për t’u mos u kthyer më kurrë për jetë. Pyetja që secili nga ne ia vlen t’ia paraqes vetes së tij është: Çfarë bëmë për 365 ditë? Sa punë të mira e të hairit i bëmë, për këtë botë dhe për botën tjetër? Sa na e pa hairin shoqëria, sa punuam për fe dhe për atdhe?! Viti 2022 shkoi, ama veprat e fjalët tona kanë mbetur, ato ruhen në një “dosje” lart në qiell, për secilin individ veç e veç.
Koha e kaluar nuk kthehet mbrapa, ndaj ajo çfarë kaloi tashmë kaloi, por nga e kaluara mund të:
- Gëzohemi për veprat e mira, e ta falënderojmë Zotin që na e mundësoi t’i bëjmë ato vepra.
- Nëse i kemi bërë ato vepra për hir të Zotit, t’i lutemi Atij që të na i pranojë.
- Të pendohemi për veprat e këqija, nëse janë në raport me Zotin, ndërsa nëse janë në raport me njerëzit, pos pendimit edhe t’iu kërkojmë falje njerëzve dhe t’ua kthejmë hakun, nëse veç kemi mundësi me ua kthyer hakun e marrë.
- Të përfitojmë nga lëshimet dhe gabimet e bëra që të mos i përsëritim sërish.
- T’i bëjmë ato punë të cilat na kanë ikur, a në fakt ka qenë dashur që t’i punojmë, respektivisht të jemi më punëtorë, më të vyeshëm e më të dobishëm.
- Ta bëjmë mend se ky vit për dikë nga ne do të jetë i fundit, ashtu sikurse që viti i cili kaloi ka qenë për shumë kënd vit i fundit.
Të nderuar vëllezër dhe motra! Ne nuk duam që ta frikësojmë askënd, por duam që t’ua kujtojmë, vetes dhe të tjerëve, atë që kohën ta shfrytëzojmë, të punojmë sa më shumë punë të mira, të tjerët nga ne të përfitojmë, e të mos vijë një kohë kur më pas do të pendohemi e do të themi: Përse nuk e bëra këtë e këtë?!
Zoti na çoftë në hair, na ruajttë neve dhe vendin tonë, na bëftë të dobishëm për vete dhe për të tjerët, na bëftë që të punojmë për dynja dhe për ahiret, për fe dhe për atdhe! Amin!
06.01.2023
[1] Tirmidhiu, nr. 2332. Albani e ka konsideruar sahih në El-Xhamiu es-Sahih, nr.7428.