28/05/2024

A iu prezantua liderëve opozitarë draft-statuti i Asociacionit?

të fundit...

- Advertisement -spot_img

“Patëm mundësinë që të njoftohemi me dokumentin e draft-statutit, pra që ta lexojmë në tërësi”. Kjo deklaratë e kryetarit të subjektit opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me emisarin evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, del të jetë krejtësisht e pavërtetë.

Lajçak më 7 nëntor u takua në Prishtinë me Haradinajn, kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, dhe nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, me të cilët bisedoi për draft-statutin e ri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Për dallim nga Haradinaj, si Krasniqi ashtu edhe Haziri thanë se nuk e kanë parë dokumentin e draftit.

Ata thanë se kanë kërkuar nga Lajçaku më shumë hollësi për këtë dokument.

Burimet në Bruksel i kanë konfirmuar Radios Evropa e Lirë se në takimin e Lajçakut me opozitarët kosovarë nuk është prezantuar teksti i draft-statutit, por opozitarëve u është shpjeguar përmbajtja gojarisht.

Më 21 tetor, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u është prezantuar një draft-statut për Asociacionin, që BE-ja e ka përshkruar si model modern evropian. Ky dokument u soll në Prishtinë dhe Beograd gjatë takimeve të “Pesëshes së Madhe” apo përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Italisë, Gjermanisë, Francës dhe BE-së.

Dokumenti nuk është bërë ende publik dhe gjatë interpelancës së 3 nëntorit lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, kryeministri Kurti tha se ndërmjetësit kanë kërkuar që të mos bëhet publik draft-statuti.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se në takim, Lajçak ka përsëritur se drafti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Megjithatë, Krasniqi shtoi se “ne, fatkeqësisht, nuk patëm mundësi ta shohim përmbajtjen e tij”.

Se një dokument i tillë nuk është prezantuar në takim, e pohoi edhe Haziri nga LDK-ja.

“Besoj që angazhimi i tij [Lajçakut] është për t’u vlerësuar dhe ndarja e kohës për LDK-në dhe partitë e tjera opozitare është për t’u vlerësuar, përkundër që po vazhdojmë të mbahemi, në një formë apo një tjetër, në terr për shkak të moszbardhjes së dokumentit, të mosbërjes transparent së paku në parime dhe angazhime apo në orientime që duhet kryeministri i Republikës, si kryenegociator, t’ia ofrojë deputetëve në çfarëdo forme dhe popullit të Kosovës”, tha Haziri pas takimit të 7 nëntorit.

Pikërisht, për shkak të mosbërjes publike të draft-statutit, përmbajtja e tij mbetet një mister. Megjithatë, Kurti pavarësisht se ka thënë se nuk mund ta bëjë publik dokumentin, e ka komentuar atë në aspektin politik.

“Drafti në vlerësimin tim politik e ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Republikës së Kosovës që ishte çimetuar në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Pra, në gjykimin tim politik, drafti ka një qartësi sa i përket njohjes së Republikës së Kosovës, si një shtet i pavarur në të cilin serbët do të jetojnë në përputhje me aspiratat multietnike të Kushtetutës dhe pa qëllim tjetër dëmtues minues për Republikën në njohje të shtetit sovran dhe të integritetit tonë territorial”, ka deklaruar Kurti më 3 nëntor.

Pavarësisht se Lajçak përfundoi vizitën dyditore në Kosovë dhe nuk u deklarua për rezultatet e bisedimeve me liderët opozitarë dhe zyrtarë të tjerë në Kosovë, ai më herët ka folur për draftin e Asociacionit.

Në fund të tetorit, Lajçak deklaroi se propozimi për draft-statutin – që Kurti ka thënë se e ka pranuar – është një mënyrë moderne evropiane për zgjidhjen e çështjes së ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me standardet më të mira evropiane “dhe nuk shkel vijat e kuqe të paraqitura nga palët”.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve ka nisur më 2011. Pavarësisht se palët kanë arritur një sërë marrëveshjesh, jo të gjitha janë zbatuar.

Kosova për dhjetë vjet refuzon ta zbatojë marrëveshjen për Asociacionin, përderisa Kurti ka shprehur drojën se kjo marrëveshje mund të cenojë funksionalitetin e shtetit.

Kosova dhe Serbia në fillim të këtij viti u pajtuan për Marrëveshjen drejt normalizimit, e cila parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

Për zyrtarët në Bruksel, vetëmenaxhimi nënkupton Asociacion./rel/

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...