26/10/2024

A mjafton serbishtja e Kurtit, që serbët lokalë ta ndiejnë Kosovën shtet të tyre?

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Komunikimi, padyshim, është mjeti më i lehtë i mundshëm për ta përdorur në të mirë të njohjes mes palëve apo zgjidhjes së një mosmarrëveshje, dhe jo vetëm. Lehtësia, domosdo, nuk e determinon edhe mundësinë e përdorimit si mjet politik mes palëve, kushdo qofshin. Në terme afatshkurtra hezitohet të shkohet kah komunikimi – si mungesë strategjie. Shpesh inatet, përplasjet dhe përçarjet, në terma të së kaluarës afatgjate, pamundësojnë uljen në tryezën e diskutimeve.

Terrori gjenocidial i së kaluarës nga serbët, si shtet, dhe (mbase) jo si civilë, mbi popullsinë shqiptare të Kosovës, dhe jo vetëm, na ka bërë të jemi indiferentë ndaj civilëve, njëjtë si ndaj shtetit. Megjithatë, koha ecën, gjeneratat ndërrohen, historia s’bën të harrohet, por kërkohet bashkëjetesë brenda shtetit të 17 shkurtit të 2008-së. Me besimin për rrugëtim evropian të Kosovës, pak edhe me hatër ndërkombëtar, është koha të ecim në një realitet paralel, të obligueshëm, nëse duam ta mbajmë shtetësinë e vendit tonë, për të gjithë, njësoj.

Në Kosovë, regjistrimi i popullsisë do të ndodhë në vjeshtën e vitit 2023. Kurse, në bazë të regjistrimit të vitit 2011, ishin 25 mijë serbë, pa përfshirë katër komunat veriore, të cilat bojkotuan procesin. Sipas një regjistrimi të vitit 1981, në Kosovë ishin regjistruar rreth 200 mijë serbë. Shumica e tyre, mos të themi të gjithë, e duan Serbinë para Kosovës. Është realitet i rëndë për ne. Por, na takon neve që t’i bëjmë ta duan Kosovën, shtetin e tyre. Ndonëse, Kosova që herët u ka dhënë hapësira të mëdha kushtetuese e ligjore, duke i “diskriminuar pozitivisht” krahasuar me komunitetet tjera. Por, komunikimi politik me ta ka munguar, është fjala për mungesë dialogu me qytetarët serbë, mbi të ardhmen dhe jetesën e tyre në Kosovë. Pavarësisht se gjuhë zyrtare në Kosovë është edhe serbishtja, sipas nenit të pestë në pikën një të Kushtetutës së Kosovës, e njëjta gjuhë nuk mësohet nga komuniteti shqiptar nëpër shkolla, për të dialoguar me këtë komunitet. As serbët e veriut nuk e mësojnë shqipen në kuadër të sistemit edukativ.

Për momentin, është pozitive se gjenerata aktuale politike di të flasë gjuhën serbe, dhe në serbishte, disa herë, kryeministri aktual, Albin Kurti, po i drejtohet këtij komuniteti përmes video-paraqitjeve në rrjete sociale. Serbisht, Kurti flet edhe në përgjigjet ndaj pyetjeve të gazetarëve serbë, përgjatë konferencave mediale të tij. Edhe shefja e grupit parlamentar të subjektit politik të Kurtit, Mimoza Kusari-Lila me 10 nëntor, iu drejtua serbëve në gjuhën serbe, siç kishte vepruar edhe ca herë tjera në Kuvend. Por, sa mjafton vetëm ky lloj komunikimi, për t’i bindur serbët se Qeveria e Kosovës, Presidenca apo edhe Kuvendi janë edhe për serbët lokalë të Kosovës?!

Ne jemi shtet i ri, dhe nuk na lypset domosdoshmërish të zbulojmë improvizime diplomatike. Mund edhe t’i vjedhim apo kopjojmë veprimet e të tjerëve. Mbi këtë paradigmë, mund të ngrehim një paralele të një qasjeje të Presidentit amerikan, Barack Obama, në fillet e detyrës së tij zyrtare. Në fjalimin e parë në botën arabe, amerikani në librin e tij, “Tokë e Premtuar”, tregon se mënjanoi ndasitë me botën islame, duke zgjedhur të flasë për afërsi. Kësisoj, në fjalimin e vitit 2009, në Katar, Obama thotë se zgjodhi të flasë për një realitet paralel me bindjen që do ngjallë kureshtjen duke gjetur në befasi shumë njerëz.

Në faqen e 455 të librit të tij, thotë se qasja e tij “nënkuptonte që të pranonim kontributet e jashtëzakonshme të qytetërimeve islamike në përparimin e matematikës, shkencës dhe artit, si dhe të pranonim rolin që kolonializmi luajti për disa nga konfliktet ende të gjallë në Lindjen e Mesme”. Ai vazhdon po aty: “…duhet të pranonim përfshirjen tonë në rrëzimin e qeverisë të zgjedhur në mënyrë demokratike të Iranit, gjatë Luftës së Ftohtë, por edhe poshtërimet përvëluese që kishin duruar palestinezët që jetonin në territoret e pushtuara”.

Në bazë të këtij shembulli, derisa Obama zgjodhi Katarin që të flasë për konfliktin mes perëndimit dhe arabëve, edhe një lider i yni, qoftë ai Kryeministër, do duhej të zgjedhë komunat në pjesën veriore të Kosovës, që t’i drejtohet popullit serb me një fjalim historik. Fundja, edhe ajo pjesë është e Kosovës, dhe ky shtet, me institucionet e tij, ka kapacitet të ofrojë siguri për një fjalim të tillë.

Nga aty, në gjuhën serbe, një Kryeministër i gjithë Kosovës, do të mund të flasë për kontributet e komunitetit serb në Kosovë, rolin që mund ta kenë në shtet-zhvillim, për luftën e kontrabandës, kontributin në mësimin e serbishtes, bashkëjetesën multietnike, bashkëpunimin në sektorin e shëndetësisë – me theks trajtimin e pacientëve nga mjekësia familjare në Graçanicë, aty ku shkojnë shumë pacientë edhe shqiptarë për trajtim (dhe ka informacione për trajtim të mirë, gjerë në shërim të suksesshëm). Me serbët e Kosovës mund të dialogohet, pa e përmendur konfliktin historik mes Kosovës dhe Serbisë. Thjesht, një qasje që i bën të ndihen mirë, të rëndësishëm, dhe të dobishëm në shtetin e tyre, Kosovën. Bile, derisa Amerika e përfaqësuar nga Obama pranon fajin në zhvillimet politike në botën arabe, edhe Kosova me një Kryeministër, në një fjalim historik, të pranojë gabimet e Kosovës në trajtimin e serbëve. Nëse nuk ka ndonjë gabim esencial, të paktën, të kërkohet falje për vonesën e një dialogu të tillë, sa për sinqeritet dhe hatër ndaj qytetarit – në kërkim të një lidhjeje “state-citizens”.

Një dialog i tillë, me qytetarët serbë në veri të vendit nuk ka ndodhur ende. Ndonëse gjatë fushatës politike, edhe vet kryeministri aktual Albin Kurti, ka premtuar për shumë kohë se do zhvillojë dialog me serbët lokalë, dhe jo dialog me politikanët e Serbisë. Me këta të dytët dialogu po ndodh, por ende nuk është përmbushur premtimi i dhënë elektoral. Një dialog me serbët e Kosovës, tashti nga 10 nëntori 2022, e ka kërkuar edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj. As ky vet, sa ishte në detyrë zyrtare, nuk e bëri një komunikim të tillë.

Ky është qëndrim personal i autorit dhe nuk përfaqëson qëndrimin editorial të RTI-së

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...