Edhe pse u inkuadrua në pjesën e dytë të ndeshjes së vlefshme për xhiron e katërt mes Dritës dhe Ferizajt, ylli i gjilanasve arriti ta zhbllokojë ndeshjen me golin e tij dhe po ashtu asistoi në një tjetër gol, duke qenë lojtari më i vlefshëm i ekipit të tij.
Pra, ai ishte vendimtar në arkëtimin e 3 pikëve të para të Dritës në fitoren 3:1.
Pasi e mori këtë çmim, Ajzeraj u shpreh i lumtur që u vlerësua si më i miri i javës.
“Fillimisht është një start i mirë për ekipin tonë, Drita, meqë është ndeshja e parë në kampionat pas ndeshjeve në Evropë. Një ndjenjë mjaft e mirë që shpallem “Yll i javës”. Falenderoj bashkëlojtarët e mi, sepse është edhe meritë e tyre. Është e rëndësishme që kemi filluar me 3 pikë dhe do të vazhdojmë ndeshjet një pas një. Sa i përket nivelit të Superligës, çdo vit ka rritje dhe mendoj se sivjet ka akoma më shumë cilësi. Çdo vit gara për titull është më e vështirë dhe më konkurruese. Si çdo vit, FC Drita ka pretendimet të dalë kampion dhe të fitojë Kupën e Kosovës. Do të shkojmë ndeshjet pas ndeshjes. Do të futemi në çdo ndeshje vetëm për fitore”, tha Ajzeraj për faqen zyrtare të FFK-së.