Gazeta Sinjali raportoi sot për një të mitur që u arrestua në Pejë, nën dyshimet për veprën penale “Përgatitja e veprave penale terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”. 16-vjeçari që po dyshohet se kishte plane për t’i vrarë nxënësit e klasës së tij, po hetohet nga Prokuroria Speciale, e cila tashmë ka dalë me njoftim lidhur me rastin, raporton Sinjali.
E ndaj këtij rasti tronditës ka reaguar zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi i cili tha se janë të indinjuar lidhur me rastin.
“Është e rëndësishme që autoritetet kanë reaguar në kohë për të parandaluar një tragjedi të madhe”, ka thënë Kelmendi.
Zëvendësministri i Arsimit ka thënë tutje se siguria në shkolla është thelbësore për të krijuar një mjedis të sigurt shoqëror, “për çka duhet të angazhohen të gjitha institucionet, familjet dhe shoqëria”.
Prokuroria Speciale e Kosovës, ka dhënë detaje rreth arrestimit te të mitur në Pejë, i cili dyshohet se kishte planifikuar vrasjen e disa nxënësve, të cilët, siç është raportuar më herët në media, janë shokë të klasës së tij.
Prokuroria Speciale, në deklaratën e saj bën të ditur se i mituri me inicialet B.M, planet i kishte bërë dhe përgatitur për disa muaj.
Për të njëjtin, nga Prokuroria thuhet se me këto veprime i dyshuari do të kishte kryer veprën penale ‘Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.