Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama ka konfirmuar emërimin e Bardh Krasniqit në krye të Drejtorisë së Sportit në Komunën e Prishtinës.
Me prishjen e koalicionit mes LDK-së dhe PDK-së në kryeqytet kanë ardhur edhe ndryshimet në drejtoritë komunale.
Largimi i drejtorit të Sportit, Granit Rugova, ka bërë që kryetari Rama të emëroj pasuesin e tij dhe këtë e ka njoftuar në profilin e tij zyrtar.
Bëhet fjalë për një ish-basketbollist tjetër, Bardh Krasniqin, i cili nga sot (e enjte) do të ushtroj detyrën e re.
Postimi pa ndërhyrje i Ramës
Të dashur qytetarë dhe dashamirës të sportit,
Me shumë kënaqësi ju njoftoj me Drejtorin e ri të Sportit në Kryeqytet, Bardh Krasniqi.
Bardhi, një ish basketbollist i shquar në skenën vendore e ndërkombëtare vjen në këtë pozitë si profesionist për ta quar edhe më përpara fushën e sportit.
Ai do të punojë në ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive në kryeqytet, për të mundësuar zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme e të shumta këtë vit në Prishtinën tonë, e shpallur “Qytet i Sportit”.
Po ashtu, Bardhi do të angazhohet për realizimin e projekteve për ta bërë kryeqytetin gati për “Lojërat Mesdhetare 2030”, gjë që jemi të bindur se do t’ja arrijë fal sukseseve akademike në Stamboll, dhe profesionalizmit të tij të treguar ndër vite në themelimin, menaxhimin e shumë kompanive dhe projekteve në fushën e telekomunikimit brenda dhe jashtë vendit.
Falënderoj për punën e palodhshme deri tani në drejtorinë e sportit, ish drejtorin Granit Rugova.