19/04/2024

BE-ja bën thirrje për një hetim ndërkombëtar të vdekjes së Navalnyt

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Bashkimi Evropian lëshoi një deklaratë për vdekjen e udhëheqësit të opozitës ruse, Alexei Navalny, dhe bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar të rrethanave të vdekjes.

Sipas një deklarate të Përfaqësuesit të Lartë në emër të Bashkimit Evropian për vdekjen e Alexei Navalnyt, Bashkimi Evropian është i indinjuar nga vdekja e politikanit opozitar rus Alexei Navalny, për të cilën përgjegjësia përfundimtare bie mbi presidentin Vladimir Putin dhe autoritetet ruse.

“Sot, në Këshillin për Punë të Jashtme, i shprehëm ngushëllimet tona më të thella bashkëshortes së tij Yulia Navalnaya, fëmijëve, familjarëve, miqve dhe të gjithë atyre që punuan me të për të mirën e vendit të tyre. Rusia duhet të lejojë një hetim ndërkombëtar të pavarur dhe transparent për rrethanat e vdekjes së tij të papritur. BE-ja nuk do t’i kursejë përpjekjet për llogaridhënie prej udhëheqjes politike dhe autoriteteve të Rusisë, në koordinim të ngushtë me partnerët tanë; dhe për vendosjen e kostove të mëtejshme për veprimet e tyre, duke përfshirë edhe me sanksione”, thuhet në deklaratë.

Deklarata kujton se anembanë botës, qytetarët janë mbledhur në nderim të kujtimit të Alexei Navalnyt.

Por në Rusi, autoritetet u përpoqën ta parandalojnë këtë gjë në një numër të vendeve dhe qindra qytetarë janë arrestuar.

Andaj siç thuhet më tej “ata duhet të lirohen menjëherë”.

“Navalny u kthye me trimëri në Rusi pas atentatit me agjentin nervor Novichok të ndaluar sipas Konventës për Armët Kimike, në të cilën Federata Ruse është shtet palë. Ai po vuante disa dënime të motivuara politikisht në një koloni të rreptë penale në Siberi, ku u zhvendos për t’u izoluar nga pjesa tjetër e botës. Familjes së tij i ishte kufizuar qasja tek ai. Avokatët e tij janë nën presion të vazhdueshëm dhe tre prej tyre janë në mbajtje prej tetorit 2023”.

Deklarata kujton se Bashkimi Evropian e ka dënuar vazhdimisht në termat më të ashpër të mundshëm helmimin e tij dhe të gjitha vendimet e motivuara politikisht kundër tij për aktivitetet e tij legjitime politike dhe kundër korrupsionit, duke kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm dhe pa kushte.

BE-ja, në mënyrë të përsëritur dhe duke iu drejtuar autoriteteve në Moskë, i ka bërë thirrje Rusisë që të garantojë sigurinë dhe shëndetin e tij, por më kot.

“Gjatë gjithë jetës së tij, Navalny ka treguar guxim të pabesueshëm, përkushtim ndaj vendit dhe bashkëqytetarëve të tij, si dhe vendosmëri në punën kundër korrupsionit që ai zhvilloi në mbarë Rusinë, duke bërë për vete shumë qytetarë në mbarë vendin. Kjo është arsyeja pse Putini dhe regjimi i tij kishin frikë prej tij, gjithashtu në kontekstin e vazhdimit të luftës së paligjshme të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe zgjedhjeve presidenciale ruse në mars”.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...