19/06/2024

BE-ja nuk komenton dokumentin e pretenduar për sanksione ndaj Kosovës dhe shpalljen non grata të Kurtit

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Gjatë ditës së mërkurë është raportuar se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po shqyrtojnë mundësinë e masave kundër Kosovës në rast se nuk përmbush detyrimet e saj dhe nuk qetëson situatën në veri të vendit, përfshirë këtu edhe sanksione ndaj Kurtit dhe ministrit Sveçla.

Lidhur me këtë Telegrafi ka pyetur zëdhënësen e Bashkimit Evropian, Paloma Caballero.

Caballero ka thënë se BE-ja nuk komenton pretendimet apo dokumentet që janë të sopozuara, e po ashtu që rrjedhin nga një vend i tretë, siç është SHBA-ja.

“Ne nuk komentojmë për rrjedhjet e supozuara, dhe në veçanti jo për diçka që pretendon të jetë një dokument i supozuar i një vendi të tretë në lidhje me veprimet e supozuara të BE-së”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Ndëkaq, sipas EuronewsAlbania, faza e parë e sanksioneve do të përfshinte ngrirjen e të gjitha fondeve të BE-së, procesin e liberalizimit të vizave, procesin e anëtarësimit në Këshillin e Europës, fondet amerikane dhe projekte të tjera të financuara nga Perëndimi.

Faza e dytë do të ishte qëndrimi pasiv i aleatëve të Kosovës ndaj fushatës së Serbisë për mosnjohjen e shtetit të Kosovës, një riorganizim i prezencës ushtarake ndërkombëtare dhe një reduktim në shkallë të gjerë i kontingjentit amerikan në Kosovë, si dhe përjashtimi i Kosovës nga organizata të caktuara ndërkombëtare.

Dokumenti gjithashtu parashikon sanksione individuale ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të brendshëm Xhelal Sveçla, nëse situata në terren degradon më tej. Kjo mund të përfshijë shpalljen “non grata” të dy zyrtarëve, “me justifikimin se ata janë një kërcënim për sigurinë dhe paqen”.

Ndërkohë, kryeministri Kurti, gjatë së mërkurës ka folur për deklarimet e emisarit amerikan, Gabriel Escobar.

Kurti ka thënë se de-eskalimi i situatës në veri nuk mund të zgjidhet me trysni dhe përmendje pasojash.

Ai pranoi se ka sfida në diskutimet me emisarët Lajçak dhe Escobar por u shpreh i bindur se do të mund t’i sqarojnë të gjitha paqartësitë, derisa shtoi se s’ka marrë asnjë ultimatum nga ata për zgjidhjen e situatës në veri.

“Nuk kam marrë kurrfarë ultimatumi, ne u takuam bashkëbiseduam me emisarët evropian dhe amerikan për dy orë. Unë kam ofruar mënyrën e sigurt se si të kemi një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës e shkaktuar nga strukturat ilegale. E para është sundimi i ligjit, kemi me dhjetëra ushtarë të NATO-s, policë të Kosovës dhe gazetarë që ishin viktima të një egërsie të paparë të ekstremistëve të dhunshëm dhe të grupeve kriminale…”./Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...