15/06/2024

BE-ja pret nga Kosova dhe Serbia të shkojnë në Bruksel pa kushte

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të pranojnë ftesën për pjesëmarrje në takimin e krizës në Bruksel, duke mos vendosur asnjë kusht.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka ftuar Kurtin dhe Vuçiqin për një takim në Bruksel gjatë kësaj jave, në mes të tensioneve të rritura mes dy shteteve.

BE ka paralajmëruar se mospërfillja e kësaj ftese mund të ketë pasoja për palët.

Presidenti i Serbisë veçse ka refuzuar të takohet me Kurtin, ndërkaq ky i fundit ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në takimin e Brukselit.

Vuçiq më 18 qershor deklaroi në Beograd se nuk do të takohet me Kurtin. Megjithatë, ai tha se do të vendosë nëse “teknikisht do të paraqitem në atë takim”, duke shtuar se ky do të jetë një vendim i tij strategjik për të cilin do ta informojë opinionin.

Kurti ndërkaq, më 19 qershor tha se fillimisht pret që shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd të takojë policët e Kosovës, dhe pasi të kuptojë gjendjen e tyre, do të vendosë nëse do të pranojë ftesën e Borrellit për takim.

Zëdhënësi i BE, Peter Stano, tha se Borrell ka ftuar dy liderët për t’u takuar në Bruksel “për të gjetur dalje nga kriza që po e shohim dhe për t’u kthyer në rrugën e dialogut”.

“Data nuk është caktuar ende sepse palët nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Borrell pret një sjellje më të përgjegjshme nga dy liderët. BE pret që ata të vijnë pa kushtëzime. Blloku evropian po e përcjell situatën për të parë se a janë palët e gatshme për të gjetur zgjidhje”, tha Stano gjatë një konference për media.

Ai shtoi se të hënën gjatë takimit të ministrave të BE-së çështja e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë në agjendë.

“Ftesa e Borrellit është ofertë dhe mundësi për ta që të dëshojnë se pas të gjithave mund të jenë konstruktivë. Nuk është ftesë për të kënaqur Brukselin, por është për nevojën që të ulen tensionet dhe për të ardhmen evropiane të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë. E për këtë, askush tjetër përveç Vuçiqit dhe Kurti nuk është përgjegjës”, tha Stano.

Që nga fundi i majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën pasi pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan protestuesit serbë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët.

Më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përkeqësuan edhe më tej, pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.

Stano u pyet edhe për situatën aktuale dhe fatin e tre policëve të Kosovës që gjenden në paraburgim në Serbi. Ai tha se “për fat nuk ka pasur përshkallëzim të ri fizik në terren, por ende nuk kemi parë as hapa konkretë të menjëhershëm për shtensionim. Prandaj, edhe i kemi ftuar të dy liderët në Bruksel për të punuar në uljen e tensioneve dhe për hapa konkretë”.

“Deri më tani nuk kemi dëgjuar përgjigje konkrete, përveç deklaratave jokonstruktive publike të tyre2, tha Stano.

“Në këtë moment po përqendrohemi në thirrjen e Borrellit që liderët të vijnë në Bruksel. Varësisht se si do të shkojë ky takim, do të shohim më pas se si do të veprohet. Veprimet e të dyja palëve do të reflektohen edhe në diskutimin e ministrave, e pastaj edhe në rrugëtimin evropian të tyre”, përfundoi Stano.

Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania i kanë bërë thirrje Serbisë që të lirojë menjëherë tre policët e Kosovës. /REL

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...