Rënia e besimit te presidenti duket se është pjesë e një tendence të rënies së besimit më gjerësisht në shumicën e institucioneve politike në vend. Partitë politike mbajtën pozicioninin e institucioneve në të cilat shqiptarët kanë më pak besim, krahas prokurorisë, gjykatave, parlamentit dhe presidentit. Besimi te qeveria qendrore mbeti e pandryshuar gjatë vitit të kaluar, ndërsa besimi te pushteti vendor pësoi rritje, vërehet nga të dhënat e anketës.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gëzoi besimin e 60 për qind të shqiptarëve gjatë vitit 2023, me një rritje të konsiderueshme nga 50% që ishte në vitin 2022. Krijuar në fund të vitit 2019, SPAK pati një nisje të ngadaltë para se të shënonte disa goditje të forta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit pas gjysmës së dytë të vitit të kaluar.
Në total, 81% e shqiptarëve ose më shumë se katër në çdo pesë qytetarë të pyetur, mendojnë se korrupsioni është “i përhapur” ose “shumë i përhapur” ndërsa perceptimi i korrupsionit është përkeqësuar më tej gjatë vitit të kaluar.
Dhe një e treta e qytetarëve që kanë marrë një shërbim publik nga qeveria qendrore apo vendore, raportuan se kanë paguar ryshfet. Në gati 58% të rasteve, qytetarët raportuan se ishin të detyruar të paguanin ryshfet sepse “ia kërkuan” ndërsa vetëm 15% thanë se e kishin paguar në formën e bakshishit për shërbimin e marrë. Prania e gjithëpërhapur e korrupsionit duket se shtyn pjesën më të madhe të qytetarëve të mos kenë besim se ai luftohet. Pavarësisht vlerësimit të lartë për SPAK, vetëm 34% e qytetarëve kanë besim te ndjekja penale e rasteve të korrupsionit të lartë.