17/06/2024

Gjermania Kosovës: Ndiqe linjën e QUINT-it, drafti i Lajçakut ka përkrahjen tonë

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Premtimi i minutave të fundit nga Kosova për shkrim të një drafti për Asociacionin të inspiruar nga FES-i s’ka bindur aleatët për përkrahje në Këshill të Evropës.

Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, në një reagim pas dështimit për anëtarësim ka thënë se oferta e Kosovës ka humbur aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së Komitetit të Ministrave, ku pika e Kosovës s’u fut fare në agjendë.

Ndonëse oferta e Kosovës nga BE-ja u pa si një gatishmëri që Qeveria e Kosovës të zbatojë diçka që po zvarritet prej vitesh, aleatë insistojnë se drafti i BE-së për Asociacionin i prezantuar nga emisari sllovak, Mirosllav Lajçak, e që ka përkrahjen e shteteve të QUINT-it është rruga përpara.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë kanë thënë se drafti i Lajçakut është përgatitur në mënyrë të kujdesshme nga ekspertë dhe juristë evropianë, duke u bazuar në praktikat më të mira të Evropës dhe kanë potencuar se drafti i Lajçakut është i inspiruar në draftet e propozuara më herët, përfshirë edhe draftin e FES-it (Friedrich Ebert Stiftung) i prezantuar në vitin 2022.

“Qeveria gjermane e sheh si urgjente nevojën për hapa vendimtar drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe lëvizjen përpara të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Drafti i prezantuar nga Përfaqësuesi Special për Dialogun, Mirosllav Lajçak, ishte përgatitur me kujdes me ndihmën e juristëve dhe ekspertëve evropianë, duke u bazuar në praktikat ekzistuese më të mira në Evropës. Është inspiruar gjithashtu edhe nga propozimet e mëhershme për Asociacionin, përfshirë edhe atë të FES-it që u prezantua në publik në vitin 2022. Merr parasysh kornizën kushtetuese dhe ligjore të Kosovës. Drafti i Përfaqësuesit Special ka përkrahjen e plotë të Evropës dhe partnerëve transatlantik, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së (QUINT)”, ka thënë për gazetën Express një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Në këtë qëndrim të Berlinit zyrtar thuhet se avancimi i procesit bazuar në linjat e sugjeruara nga QUINT-i do të demonstronte përkushtimin e Kosovës për të drejtat e minoriteteve, kësisoj edhe forcimin e Kosovës dhe do të ri-energjizonte dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Gjithashtu theksojnë se nëse Kosova do të ndjek sugjerimet e aleatëve, një gjë e tillë do të siguronte dhe përkrahjen më të gjerë për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

“Përparimi tani përgjatë linjave të sugjeruara nga QUINT-i do të demonstronte përkushtimin e Kosovës ndaj të drejtave të pakicave, duke forcuar kështu pozitën e Kosovës dhe duke ri-energjizuar Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Do të siguronte mbështetje të gjerë për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Qeveria gjermane do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në aspiratat e saj për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës”, kanë përfunduar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...