25/06/2024

​Bie numri i aplikimeve në UP, Rektorati: Ndër arsyet edhe largimi i të rinjve

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Mbi 6100 të rinj kanë aplikuar për të vazhduar studimet në Universitetin më të madh publik në vend, atë të Prishtinës (UP) për vitin akademik 2023/24.

Ky numër është për mbi 1800 më pak se për vitin akademik aktual 2022/23. Nga Rektorati i UP-së thonë se numri i ulët i studentëve lidhet me faktin se edhe numri i maturantëve në nivel vendi ka rënë, por nuk e përjashtojnë që ndikim ka edhe largimi i të rinjve. UP do të hapë konkurs plotësues edhe për 2700 vende të lira në fakultetet e saj.

Nga organizatat studentore të UP-së thonë se mungesa e vendeve të punës pas diplomimit i ka bërë shumë të rinj që të mendojnë të largohen pa përfunduar as ciklin e studimeve bachelor në Kosovë, ndërsa rëndisin edhe arsye të tjera. Por, profesoresha e Universitetit të Arteve, Besa Luzha thotë se nuk është e domosdoshme që të rinjtë të vazhdojnë patjetër me studime

Rektorati i Prishtinës, përmes një përgjigje me shkrim për KosovaPress, konsideron se shkak i numri të ulët të aplikimeve në fakultetet e Universitetit të Prishtinës ka ndikuar edhe “lëvizjet e brendshme dhe të jashtme të rinjve në Kosovë”.

“Në afatin e parë te konkursit për pranimin e studentëve të rijnë në nivelin bachelor, për këtë vit akademik kanë aplikuar gjithsej 6104 kandidatë. Ndërsa, gjithsej 2711 vende për studentë të rinj do të shpallen në afatin plotësues të konkursit për studime themelore-bachelor në UP në vitin akademik 2023/2024. Krahasuar, në vitin paraprak akademik 2022/23 kane aplikuar 7917.  Ndër arsyet që mund të ketë ndikuar në uljen e numrit te aplikimeve është edhe fakti se numri i maturantëve në nivel vendi ka rënë dhe kjo është reflektuar edhe në numrin e aplikimeve ne UP. Pastaj, në disa vite akademike, Universiteti i Prishtinës ka regjistruar vetëm studentë të rregulltë dhe jo studentë me korrespodencë. Gjithashtu aspekti demografik, lëvizjet e brendshme dhe të jashtme te rinjve të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit.

Ndërsa, Besa Luzha, profesoreshë në Fakultetin e Arteve, në degën e Arteve Muzikore, thotë se tregu i arsimit të lartë në Kosovë është i ngarkuar.

Fakulteti ku ajo ligjeron nuk ka pasur aplikime të shumta, por Luzha thotë se vet programet e Arteve Muzikore janë shumë të kufizuara në numër dhe nuk pranojnë shumë studentë të rinj.

“Ne gjithmonë e kemi pasur numrin e kufizuar p.sh. në drejtimin ku unë jap mësim për Pedagogjinë Muzikore gjithmonë pranohen maksimum 25 studentë në afatin e parë, por ka afat të dytë, edhe në master ka shumë pak nga 10 studentë. Në përgjithësi ne duhet të shikojmë se ky tregu i arsimit të lartë është i ngarkuar, Kosova nuk ka nevojë për kaq shumë profile, programe, edhe nuk kemi nevojë për aq shumë të rinj që duhet të studiojnë patjetër, duhet të studiojnë vetëm ata që me të vërtetë e kanë dëshirën, vullnetin, në mënyrë akademike të merren me studime”, thotë Luzha.

uzha e pranon që edhe kushtet në Fakutletin e Arteve nuk janë ideale dhe kanë në vazhdimësi kërkesa që Artet Muzikore të kenë një ndërtesë në vete.

“Nuk janë kushtet ideale ne po kërkojmë që fakulteti të ketë një ndertës ideale. Sa i përket muzikës ne vazhdimisht kemi ankesa se ndërtesa nuk i plotëson kushtet, nuk ka klasa të mjaftueshme, nuk ka ushtrimore që studentët tanë të ushtrojnë gjatë kohës kur e kanë ushtrimin”, shprehet profesoresha Luzha

Festim Tasholli nga organizata studentore “Unioni Demokratik Studentor”, thotë për KosovaPress se e kanë vënë re që në shumë fakultete të Universitetit të Prishtinës ka rënie të aplikimeve. Ai thotë se migrimi mund të jetë arsye kryesore, por ka që zgjedhin edhe kolegje private.

“Në fakultete ku ka pasur interesim më të vogël kanë qenë Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, mund të ceket edhe Fakulteti Juridik dhe Ekonomik këto janë disa drejtime ku ka rënë interesimi. Duke marrë parasysh emigrimi i të rinjve është shkaktari i rënies së numrit të studentëve, por mund të merret parasysh se studentët po zgjedhin fakultete private. Ka shumë studentë që e ndërpresin studimin e tyre dhe vazhdojnë jetën e tyre jashtë vendit. Arsyeja mund të jete mungesa e vendit të punës pas diplomimit ku kemi drejtime të shumta që studentët pas diplomimit nuk mund të gjejnë punë për shkak mungesës së tregut”, shprehet Tasholli.

Përpos Universitetit të Prishtinës, Kosova numëron edhe 6 universitete te tjera publike si dhe dhjetëra të tjera private.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...