15/06/2024

Dështon debati parlamentar për Policinë e Kosovës

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Debati parlamentar për shqyrtimin e projektrezolutës për mbështetje urgjente financiare për Policinë e Kosovës ka dështuar të mbahet, pasi deputetët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk morën pjesë.

Seanca e jashtëzakonshme e 12 shtatorit u thirr nga partitë opozitare. Para fillimit të seancës, Grupi Parlamentar i LVV-së ka bërë të ditur mospjesëmarrjen në seancë.

Rezoluta për shqyrtim është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri, tha se mbështetja për Policinë e Kosovës është e rëndësishme sidomos pas sulmit më 24 shtator nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan pastaj në manastirin e fshatit, u vranë tre sulmues serbë.

“Është e papranueshme ikja nga përgjegjësia dhe nga mbështetja për Policinë e Kosovës nga deputetët e partisë në pushtet”, tha ai.

Përmes kësaj rezolute, PDK-ja kërkon që 15 ditë nga miratimi i saj të ndahen mjetet për shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës. Po ashtu, brenda 60 ditëve të miratohet projektligji për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve policorë, kurse nga 1 janari 2024 të mbulohet pagesa e sigurimit shëndetësor për zyrtarët policorë.

Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ndërkaq e quajti të turpshme mospjesëmarrjen e shumicës parlamentare. Sipas tij, mbështetja dhe përkrahja e policisë nuk është interes vetëm i partive në opozitë, por i të gjithëve.
“A duhet vetëm të kemi humbje të jetës së policëve, a duhet të kemi sakrificë që të bie në ndërgjegjeje të ekzekutivit përmirësimi i kushteve dhe përkrahja e Policisë së Kosovës dhe të gjitha institucioneve të sigurisë?”, u shpreh Zemaj.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, theksoi se debati për mbështetje të Policisë së Kosovës ka kuptim nëse në seancë është i pranishëm kryeministri Albin Kurti dhe kabineti qeveritar.

“Ky Kuvend nuk është dashur të diskutojë nëse do të kishte qeveri të mirë dhe nëse do të kishte qeveri efektive për shtesa të rrezikshmërisë. Për shkak se ato janë obligim i Qeverisë”, tha ai.

Para fillimit të seancës, shefja e GP të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se tendenca e PDK-së nuk ka të bëjë me gjendjen e policisë, por me arsyetimin se kinse Qeveria nuk është duke u angazhuar sa duhet dhe synimi i tyre i vetëm është vetëm pushteti dhe jo interesi i shtetit.

Ajo, madje, tha se ka shumë marrëveshje ndërkombëtare me vlera milionëshe që kanë mbetur pa ratifikuar pikërisht nga mosgatishmëria e partive në opozitë.

Pagat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nisin nga 210 euro në muaj për kadetët policorë, e deri në mbi 1.500 euro në muaj për drejtorin e përgjithshëm.

Radio Evropa e Lirë në muajin qershor ka biseduar me disa policë të Kosovës, që po shërbenin në pjesën veriore të vendit. Ata patën thënë se u duhej të punonin me orare të gjata, ndërkohë që nuk kishin as uniforma adekuate dhe as shujta të ngrohta./rel/

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...