Shkruan Abdullah Klinaku
Dialogu social detyrim ligjor e politik
Kërkesat e sindikatave ndaj qeverisë duhet të jenë gjithmonë të mirëpritura. Ato përfaqësojnë punëtorët e këtij vendi. Familjet e tyre me rritjen e të hyrave e shtojnë qarkullimin monetar dhe e rrisin mirëqenien. Siç pati thënë KM Kurti para pak muajsh “shpenzojmë sepse kemi”, pra, duhet të rriten rrogat që të shpenzojmë më shumë.
Sindikatat po ashtu e kanë detyrim ligjor dhe kryesitë e sindikatave obligim statutor ti mbrojnë dhe ti avancojnë kërkesat e punëtorëve edhe përmes mbrojtjes ligjore dhe pjesëmarrjes aktive në hartimin e akteve juridike që prekun interesat e punëtorëve. Punëtorët jo vetëm që duhet të mbështeten me paga dinjitoze e mbrojtje ligjore por duhet ofruar edhe sigurime sociale e shëndetësore. Çdo kërkesë e punëtorëve pa marr parasysh mundësitë buxhetore është e drejt.
Por për të gjetur midisin, mes kërkesave legjitime dhe mundësive reale, Qeveria e hap dialogun social. Dialogu social nuk është barrikadë, është mundësi e komunikimit dhe gjetje e zgjedhjes midis kërkesave dhe mundësive. Por detyrimisht prej këtij dialogu social duhet avancuar pozita e punëtorëve prej gjendjes së mëparshme.
Veç kësaj që qeveria e ka mbyllur komunikimin dhe e ka shkëputur dialogun e mirëfilltë social është duke i bërë edhe dy gabime shumë të mëdha.
E para, reagimi ndaj kërkesave të mësimdhënësve përmes akuzave se arsimi është tepër keq në Kosovë është naivitet. Përgjegjës për avancimin e arsimit në Kosovë, rritjes së cilësisë, vendosjes së kritereve, përcaktimit të kushteve është Qeveria e Kosovës, rrjedhimisht, Ministria e Arsimit e jo Sindikata.
Po ashtu është gabim i madh akuzat ndaj mësimdhënësve se janë të pa dijshëm duke i përgjithësuar në çdo deklarim publik. Përmes kësaj qeveria po e rrënon autoritetin e mësuesit te nxënësit. Nxënësi ka të drejtë ti thotë mësuesit/profesorit, ti nuk din sepse qeveria ka thënë që ju nuk dini. Pra me këtë qasje po ndodh rrënim i autoritetit më të respektuar në vend, siç është autoriteti i mësuesit.
E dyta, akuzat ndaj punëtorëve të administratës si të paaftë e të padijshëm si reagim ndaj kërkesave legjitime të tyre janë krejt të pa baza, thjesht janë akuza politike. Punëtorët e administratës shtetërore janë në përgjithësi profesionistë dhe shumë të vyeshëm. Ligjet dhe aktet e tjera që janë hartuar nga ta në bashkëpunim eventualisht me ekspertë ndërkombëtar janë aktet juridike më së miri të hartuara, për dallim prej atyre akteve që vendosin kabinetet politike për përmbajtjen e tyre.
Punëtorët e administratës shtetërore problemin më të madh e kanë me kabinetet politike, të cilat përpiqen ti nënshtrojnë dhe të ju përzihen në çdo shkronjë që qesin në letër. Administrata e shtetit tonë duhet respektuar. Kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë me paga të vogla e pa asnjë mbrojtje.
Lufta ndaj sindikatave është luftë ndaj shtresës së mesme ekonomike, nëse mund të quhet e tillë. Refuzimi i kërkesave të sindikatave është presion për varfërimin e kësaj shtrese.
Dhe për fund, jam më se i bindur se qeveria duhet ta çel dialogun social me të gjitha sindikatat. Ti avancoj kërkesat e tyre dhe ta përmirësojë gjendjen ekonomike e sociale të punëtorëve të këtij vendi.
Krahas kësaj duhet fuqizuar dhe mbështetur sindikatat e punëtorëve privat, sektor në të cilën shkelen të drejtat më bazike të punëtorit. E po ashtu duhet menduar seriozisht për pjesën më të madhe të rinisë së këtij vendi që janë të papunë para se të mbesim ne pa rini.
Të shpresojmë se nuk është qëllimi i varfërimit të këtij populli, e pastaj nënshtrimi politik. Por për të qenë të bindur në këtë qeveria e ka obligim të na bind se nuk e ka për qëllim varfërimin dhe nënshtrimin e popullit
Dialogu social detyrim ligjor e politik
