Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, e ka përmbyllur një takim mbi një orësh me zëvendëskryeministrin dhe kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi.
Pas përfundimit të këtij takimi, Sorensen doli para mediave ku dha një deklaratë të shkurtër, pa ofruar detaje lidhur me përmbajtjen e diskutimeve që u zhvilluan.
Ai theksoi se vizita në Prishtinë është pjesë e punës së tij të përditshme në kuadër të mandatit si i dërguar special i BE-së, ndërsa paralajmëroi edhe takime të tjera të ngjashme në të ardhmen.
“Sot jam në Prishtinë si pjesë e zbatimit të mandatit. Ekipi im dhe unë jemi duke zhvilluar vizita në nivel pune – kjo është një pjesë e zakonshme e misionit tonë, dhe do të shihni edhe vizita të tjera të ngjashme në të ardhmen. Jam shumë i lumtur që jeni këtu. Nga këtu do të vazhdoj për në Beograd dhe më pas do të kthehem në Bruksel. Kaq për tani”, deklaroi Sorensen.
Pas Prishtinës, ai do të udhëtojë drejt kryeqytetit serb për të vazhduar me agjendën e tij të takimeve në kuadër të procesit të dialogut që lehtësohet nga Bashkimi Evropian.