Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, shprehu pikëllimin e tij për shpërthimet e pajisjeve “pager” në Liban, duke shtuar se përpjekjet e Izraelit për të përhapur konflikte në rajon janë jashtëzakonisht të rrezikshme, raporton Anadolu.
Në një deklaratë nga Drejtoria e Komunikimeve pranë Presidencës së Turqisë thuhet se gjatë bisedës telefonike me kryeministrin libanez Najib Mikati, presidenti Erdoğan shprehu pikëllimin e tij, duke u lutur për viktimat dhe duke uruar shërim të shpejtë të të plagosurve.
Presidenti Erdoğan gjithashtu tha se përpjekjet e Izraelit për të përhapur konflikte në rajon janë jashtëzakonisht të rrezikshme, duke shtuar se do të vazhdojnë përpjekjet për të ndaluar agresionin izraelit.
Ministri libanez i Shëndetësisë, Firas Al-Abiad tha se të paktën 9 persona, përfshirë një fëmijë, u vranë dje në shpërthimet e pajisjeve “pager” në zona të ndryshme të Libanit.
Hezbollahu konfirmoi se të paktën dy anëtarë të organizatës u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën në shpërthimin masiv të koordinuar dhe e konsideroi Izraelin plotësisht përgjegjës për incidentin, duke u zotuar për “hakmarrje të drejtë dhe të papritur” ndaj Izraelit.
Shpërthimi masiv i pajisjeve “pager” ndodh në kohën kur midis Hezbollahut dhe Izraelit ndodhin shkëmbime të sulmeve ndërkufitare në sfondin e një ofensive brutale izraelite në Rripin e Gazës, ku ka vrarë më shumë se 41.200 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi të Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar.