Në Ditën Kombëtare të Kosovës të Personave të Zhdukur, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë thotë se rikonfirmon përkushtimin dhe obligimin e tij për ta mbështetur përmbushjen e të drejtës së familjeve të 1621 personave të zhdukur për ta ditur të vërtetën për fatin e më të dashurve të tyre.
Për ta bërë këtë, EULEX-i dhe OJQ Qendra Burimore për Persona të Zhdukur (QBPZH) janë duke i organizuar një varg sesionesh informuese në mbarë Kosovën me anëtarët e familjeve të personave të zhdukur nga lufta e Kosovës dhe pas saj.
Këto sesione të ndërmjetësuara nga QBPZH-ja shërbejnë si një platformë për të afërmit e personave të zhdukur dhe ekspertët e EULEX-it që të diskutojnë hapur mandatin e kaluar dhe aktual të Misionit, punën e ekspertëve të ndryshëm të mjekësisë ligjore, sfidat kryesore me të cilat përballen ekspertët e mjekësisë ligjore gjatë kërkimit për personat e zhdukur, si dhe mbështetjen të cilën ua jep EULEX-i homologëve të tij vendas në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për gjetjen, identifikimin dhe dorëzimin e mbetjeve mortore të personave të zhdukur tek familjet e tyre.
“Familjet duhet ta dinë të vërtetën dhe askush nuk ka të drejtë që t’ua mohojë këtë. Kjo është mundësia që familjet të marrin disa përgjigje”, tha Bajram Qerkinaj, Drejtor Ekzekutiv i QBPZH-së, ndërsa Negovan Mavriq, Zëvendësdrejtor i QBPZH-së theksoi: “Çështja e personave të zhdukur është një çështje humanitare dhe duhet trajtuar ekskluzivisht si e tillë. Familjet e të zhdukurve duhet të trajtohen me ndershmëri, dinjitet dhe respekt”.
Duke theksuar të drejtën e familjeve të personave të zhdukur për ta ditur të vërtetën, Këshilltarja për të Drejtat e Njeriut në EULEX, Valentina Vitali, tha se familjet e personave të zhdukur kanë të drejtë të kërkojnë informacion nga institucionet përkatëse për rastet e tyre, duke shtuar se këto institucione e kanë për obligim që të ofrojnë informacion me kusht që kjo të mos komprometojë hetimet.
Zëvendës-Drejtori i IML-së dhe arkeologu mjeko-ligjor i EULEX-it, Javier Santana, foli për sfidat me të cilat ballafaqohen ekspertët e mjekësisë ligjore në procesin e përcaktimit të fatit të personave të zhdukur në Kosovë: (a) faktin që një numër i konsiderueshëm i personave të zhdukur janë varrosur në varre të vogla, klandestine apo edhe në varreza nga autorët për ta vështirësuar kërkimin për personat e zhdukur dhe për t’i fshehur provat e këtyre krimeve, (b) mungesën e informatave të reja dhe të besueshme për vendndodhjen e varreve (c) faktin se jo të gjithë familjarët e personave të zhdukur i kanë dhënë mostrat e gjakut për analizën e ADN-së, duke ua bërë kështu më të vështirë ekspertëve identifikimin e mbetjeve mortore dhe (d) çështjen e identifikimit të gabuar. Pas luftës, kufomat u identifikuan në mënyrë të shpejtë pa hollësi, për shembull përmes fotografive ose rrobave, duke rezultuar në gabime të cilat sot janë të vështira për t’i gjetur dhe korrigjuar.
Antropologia Forenzike e EULEX-it, Luísa Marinho, tha se që nga fillimi i mandatit të tij, ekspertët e EULEX-it kanë kryer 725 operacione në terren dhe 197 zhvarrime, të cilat kanë rezultuar në identifikimin e 332 personave të zhdukur. “Këto shifra nuk kanë shumë rëndësi për ata që nuk i kanë gjetur ende të dashurit e tyre. Megjithatë, ato flasin për punën e bërë deri më tani dhe janë tregues i përkushtimit tonë për ta vazhduar këtë punë në mënyrë që t’u japim disa përgjigje familjeve të personave të zhdukur”, përfundoi Marinho./sinjali