Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë përgatitur për të përballuar situata të rënda në mjedise ujore, përmes një trajnimi të specializuar dhe sfidues të realizuar nga Qendra Ndërkombëtare Trajnuese për Kërkim-Shpëtim e Gardës Kombëtare të FSK-së.
FSK njofton se ky trajnim, i njohur si “Mbijetesa në ujë”, është zhvilluar në kuadër të ngritjes së kapaciteteve ushtarake për mbështetje të autoriteteve civile, me qëllim të rritjes së aftësive operacionale të pjesëtarëve të FSK-së në mjedise të vështira ujore.
Fokus i veçantë i këtij trajnimi ishte ndërtimi i aftësive individuale dhe ekipore për mbijetesë, përfshirë:
teknika të mbijetesës në ujë, notin taktik, improvizimin e mjeteve për mbijetesë në zona të izoluara ose të rrezikshme, si dhe krijimin e mjeteve të improvizuara për kalim të zonave ujore.
Përmes këtij trajnimi, pjesëtarët e FSK-së janë përgatitur për t’u përballur me sfida reale në terren, duke u pajisur me njohuri praktike që rrisin sigurinë dhe efektivitetin e tyre në operacione kërkim-shpëtimi dhe reagim emergjent.