Përkundër marrëveshjeve për mospengim të njëra-tjetrës në nivel rajonal, por edhe ndërkombëtar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë dje gjatë fushatës zgjedhore se në 11 vjetët e fundit prejse ai është në pushtet, Kosovës i janë tërhequr 28 njohje të pavarësisë, krejt kjo falë politikës së tij.
E në lidhje me këtë ka reaguar ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, e cila tha se “pretendimi i dëshpëruar i presidentit serb nuk qëndron, gjatë këtij mandati qeverisës nuk ka pasur asnjë çnjohje”.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me të gjitha vendet, të cilat e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, qoftë përmes kanaleve diplomatike ose partnerëve tanë strategjikë dhe në asnjë rast nuk është diskutuar mundësia për ndryshim të pozicionit në raport me Republikën e Kosovës siç pretendohet në lajme të rreme dhe kampanja destruktive mediale të prodhuara nga Serbia”, tha Gërvalla për Euronews Albania.
Më tej, ajo tha se MPJ-ja mbetet e përkushtuar të shtojë intensitetin e aktiviteteve për të çuar përpara agjendën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.