Në Ditën e Refugjatëve presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar sakrificën dhe vuajtjen e pamasë të refugjatëve në mbarë botën
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën Botërore të Refugjatëve ka kujtuar luftën e fundit në Kosovë.
Me anë të një postimi në Twitter, presidentja Osmani ka thënë se gjatë luftës, më shumë se gjysma e popullsisë janë bërë refugjatë si rezultat i gjenocidit të ish-presidentit diktatorial, Slobodan Millosheviq.
“Në Ditën e Refugjatëve kujtojmë sakrificën dhe vuajtjen e pamasë të refugjatëve në mbarë botën. Gjatë luftës në Kosovë, më shumë se gjysma e popullsisë sonë u bënë refugjatë si rezultat i gjenocidit të Millosheviqit”, ka shkruar Osmani.
Dita Botërore e Refugjatëve është themeluar nga Kombet e Bashkuara për të nderuar guximin, forcën dhe vendosmërinë e grave, burrave dhe fëmijëve, të cilët janë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre nën kërcënimin e persekutimin, konfliktit dhe dhunës.
Të dhënat e fundit të Organizatës së Kombeve të bashkuara tregojnë se mbi 70 milionë njerëz kanë ikur nga vendet e tyre për shkak të luftërave në mbarë botën.






