Kandidatja demokrate për presidente në SHBA, Kamala Harris dhe kundërshtari republikan Donald Trump, u përballën për herë të parë në debatin presidencial të transmetuar drejtpërdrejt, transmeton Anadolu.
Harris, aktualisht nënpresidente në administratën e liderit aktual Joe Biden, bëri diçka të rrallë, duke e vënë vazhdimisht Donald Trumpin në pozicionin mbrojtës gjatë debatit në Pensilvania.
Gjatë gjithë përballjes së ashpër që zgjati një orë e 45 minuta, Harris u përpoq të shfaqte veten si e kundërta diametrike e Trumpit: e ftohtë, e qetë dhe e përmbajtur përballë presionit, duke shmangur sulmet e përsëritura nga ish-presidenti dhe duke lëshuar breshëritë e saja ndërsa dyshja adresoi çështjet kryesore të Amerikës, përfshirë emigracionin, abortin dhe ekonominë.