Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i ka uruar suksese diplomatit, Gabriel Escobar, me rastin e përfundimit të detyrës së tij si i Dërguar i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor.
Përmes një postimi në platformën X, Hovenier është shprehur i nderuar që ka punuar me Escobar për të avancuar qëllimet e SHBA-së në Kosovë dhe në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Njëkohësisht e ka falënderuar Escobarin për përkushtimin e tij për avancimin e vizionit të amerikanëve për një Kosovë të sigurt, të begatë dhe demokratike.
“Ndërsa miku dhe kolegu im Gabriel Escobar përfundon detyrën e tij si Përfaqësues Special i Sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, i uroj atij sukses në detyrën e tij të radhës. Unë kam qenë i nderuar të punoj me të për të avancuar qëllimet e SHBA-së në Kosovë dhe në Dialogun e BE-së. Falenderoj për përkushtimin e tij të palodhshëm për avancimin e vizionit tonë për një Kosovë të sigurt, të begatë dhe demokratike dhe rajon të Ballkanit Perëndimor”, shkroi ambasadori Hovenier.
Kujtojmë se Escobar në një bisedë virtuale me gazetarë, tha se në fund të këtij muaji përfundon mandatin e tij.
Ai shtoi se posti ishte 2-vjeçar, por kishte kërkuar edhe një vit shtesë me shpresën që do të bëhej përparim drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.