Profesori në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, Edward Joseph ka thënë se me propozimin e ri të draft-statutit të Asociacionit është eliminuar modeli i Republikës Serbe në Kosovë.
Joseph ka thënë se jo detyrimisht duhet të publikohet tani draft-statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, nëse qëllimi është që të arrihet një lloj marrëveshje e avancuar përtej asaj që ekziston.
“Me atë që kam dëgjuar unë, edhe pse nuk është gjë formale, propozimi i SHBA-së dhe BE-së e përmbyll këtë telashin mbi atë se a duhet të jetë Asociacioni në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Sigurisht se duhet të jetë në pajtim me atë vendim dhe ky lloj misteri është sqaruar. Propozimi që është bërë është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe për aq sa kam kuptuar modeli i Republikës Serbe është lënë komplet jashtë. Në vend të këtij modeli është bërë një propozim krejt i ri, praktik, i arritshëm dhe që përmbush standardet kushtetuese dhe është në përputhje me atë kolumnen që është shkruar nga Derek Chollet dhe Gabriel Escobar”, ka thënë Joseph për RTK-në.
Sipas tij, nganjëherë dokumentet duhet të mbahen larg publikut derisa janë në negocim e sipër.
“Nganjëherë dokumentet duhet të mbahen të fshehta, larg publikut derisa është në negocim e sipër. Pra nuk është se detyrimisht duhet të publikohet. Pyetja është se çfarë do të jetë pozicioni përfundimtar i SHBA-ve dhe BE-së në veçanti dhe pastaj shteteve kyçe siç janë Franca, Gjermania, Italia dhe cili do të jetë pozicioni kur bëhet fjalë për Serbinë. Refuzimi i presidentit të Serbisë për ta nënshkruar marrëveshjen dhe pastaj refuzimi për ta zbatuar atë marrëveshje që e ka pranuar në Bruksel dhe Ohër”, ka theksuar profesori Joseph.
Ai tutje ka thënë se më 6 tetor ia ka parashtruar pyetjen emisarit Lajçak në Malin e Zi se pse nuk e shfrytëzojnë mundësinë, sidomos pas agresionit mbi Kosovën më 24 shtator në Banjskë.