Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është publikuar njoftimi për kontratë për përzgjedhjen e operatorit ekonomik për furnizim me kamera dhe pajisje përcjellëse për regjistrimin e të gjithë aktivitetit gjatë procesit të votimit dhe numërimit në ditën e zgjedhjeve në vendvotime në Republikën e Kosovës.
“Afati për dorëzim të ofertave do të përfundojë më 11 korrik 2024. Të gjitha detajet për këtë procedurë tenderuese janë publikuar në platformën zyrtare E–Prokurimi”, thuhet në njoftim.
Në përgjithësi, lidhur me përdorimin e kamerave në vendvotime gjatë proceseve të ardhshme zgjedhore KQZ-ja sqaron qytetarët e Republikës së Kosovës se vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim;
“Vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës, pasi ato do të vendosen në skajin tjetër të vendit ku do të jetë kabina e votimit dhe në asnjë rrethanë nuk do të mundë të regjistrojë shënjimin e preferencës së votuesit. Ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë e përkohshme deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor, me përjashtim të atyre nga vendvotimet ku evidentohen parregullsi me qëllim që t’u ofrohen institucioneve ligjzbatuese”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu theksohet se në ditën e zgjedhjeve KQZ nuk do t’i monitorojë këto kamera, pra regjistrimi nga ana e tyre do të bëhet në mënyrë pasive dhe se qasja në videoregjistrime mund të sigurohet vetëm me vendim ose kërkesë të institucioneve ligjzbatuese. /Zëri