Shkruan: Mr. Amir Shabani – Njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare
Konflikti aktual që ka ngjarë në Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe Palestinës ka marrë vëmendjen e tërë botës, por kësaj radhe parashihet që një kohëzgjatje e paplanifikuar mund të jetë shkak i përshkallëzimit të konfliktit edhe jashtë kufijve të të dyja vendeve. Diplomatët në botë që merren, analizojnë dhe angazhohen me konfliktin në fjalë, më shumë kanë bërë thirrje për një armëpushim. Një kërkesë e tillë kryesisht është parashtruar edhe nga protestuesit pro-palestinezë në mbarë botën, për shkak të numrit në rritje të vdekjeve në Gaza.
Ajo që dëshiroj ta theksoj rreth kësaj çështjeje është se sa i përket ndalimit tëkëtij konflikti, duhet që paqebërësit dhe diplomacia të flasin për paqen, e jo për një armëpushim.
Sa i përket pikave që mendoj se janë realitete me të cilat duhet të merren diplomatët, janë:
1. Gaza ka zbaruar shumë armëpushime, përfshirë pas konflikteve të viteve 2012, 2014 dhe 2021, si dhe raunde të ndryshme dhune mes këtyre periudhave. Më 7 tetor, kur Hamasi nisi sulmin, pati një armëpushim. Mirëpo ata, kurrë nuk e kanë zgjidhur realisht situatën në Gaza.
2. Nga këndvështrimi i Izraelit, ky konflikt nuk mund të përfundojë me një armëpushim me Hamasin. Pavarësisht nëse jeni dakord apo jo, pikëpamja në Izrael është se kjo është bërë në të kaluarën dhe e solli atë që ngjau më 7 tetor. Në të kaluarën, presioni ndërkombëtar ka funksionuar, sepse Izraeli ishte i interesuar të “rivendoste parandalimin” mbi Hamasin (një strategji që efektivisht ka dështuar). Por, argumentet tregojnë se kjo krizë është e ndryshme dhe asnjë presion nuk do ta shtyjë Izraelin të bie dakord për një armëpushim nëse Hamasi nuk degradohet ndjeshëm dhe nuk ka më kontrollin e Gazës. Presioni duhet të fokusohet në thirrjet më të zbatueshme për t’u marrë me krizën e madhe në Gaza.
3. Izraeli nuk dëshiron armëpushim. A do të thotë kjo se ajo e di saktësisht se çfarë dëshiron dhe veçanërisht çfarë do të vijë pas luftës? Shumica e raporteve sugjerojnë se jo. A është ky një problem? Absolutisht se po, madje një problem masiv.
3. Hamasi, nga ana tjetër, ka të ngjarë të kërkojë një armëpushim. Është duke argumentuar se i duhet një pauzë edhe vetëm për të numëruar numrin e pengjeve që ka. Izraeli ndjeu, (me të drejtë ose jo) se grupi thjesht po përpiqej të fitonte kohë.
4. Nëse shikoni se çfarë ka bërë Sinvar, shefi i Hamasit në Gaza dhe një nga dy personat që ka gjasa të qëndronin pas sulmeve të 7 tetorit, që kur mori “zyrën” në vitin 2017, do të jetë më qartë për t’u kuptuar. Sinvar është plotësisht i vetëdijshëm se Hamasi si qeveri po dëmton pozitën e tij si një grup militant. Hamasi është i vetëdijshëm se ka të ngjarë të mos jetë i popullarizuar në Gaza dhe më i popullarizuar atje ku nuk sundon (në Bregun Perëndimor).
Sinvar ka eksploruar dy pista:
1- një “Hudna” (armëpushimi afatgjatë) me Izraelin që do të lejonte më shumë investime në Gaza;
2- kthimi i Autoritetit Palestinez në Gaza.
Opsioni i dytë është ai që unë do ta quaja një skenar “Hizbullah”, në të cilin Hamasi heq dorë nga kontrolli civil i Gazës, por ruan aftësitë e tij ushtarake. Ky skenar i fundit do t’i lejonte Hamasit të vazhdonte që të sulmonte Izraelin, pa pasur nevojë të merrej me përgjegjësinë e më shumë se 2 milionë palestinezëve. Kjo është një pikë e rëndësishme, kur mendoni se rikthimi i Autoritetit Palestinez në Gaza konsiderohet një mundësi serioze.
5. Vetë Autoriteti Palestinez i sheh qëllimet e vërteta të Hamasit, prandaj, në të kaluarën, ai e ka kushtëzuar kthimin e tij në Gaza me një angazhim të Hamasit për të hequr dorë nga armët, por Hamasi refuzoi. Pas 7 tetorit, Presidenti palestinez, Mahmud Abbas dhe Autoriteti Palestinez kanë kushtëzuar çdo kthim në Gaza me rifillimin e një procesi paqeje. Autoriteti Palestinez e di se është jopopullor dhe se kthimi në Gaza është i rrezikshëm. Nuk do ta bëjë këtë nëse Izraeli nuk angazhohet për paqe. Në Izrael, Netanyahu ka marrë pjesë shumë në margjinalizimin e Abasit dhe shumë njerëz e shohin Abbasin si bashkëpunëtor të Izraelit. Kjo, padyshim se është një politikë e gabuar, e cila e solli gjendjen deri në ngjarjen e tmerrshme aktuale. Abbasi ka të drejtë vetëm për këtë: “Ne duhet të flasim për paqen.” Në thelb, nuk ka zgjidhje sigurie për këtë krizë, por vetëm politike.
6. Riformulimi i argumentit dhe bërja e tij për paqen mundëson një vështrim afatgjatë të asaj që nevojitet për t’u arritur. Hamasi është një pengesë për paqen. Netanyahu është gjithashtu qartë një pengesë për paqen. Sulmet, pa dallim nga të dyja palët janë një pengesë për paqen e popullsisë së pafajshme dhe janë një rrezik rajonal në rast të përshkallëzimit të konfliktit.
Ky është qëndrim personal i autorit dhe nuk përfaqëson qëndrimin editorial të RTI-së