25/04/2026

DALJA NGA KORNIZAT E NGUSHTA TË EKZISTENCËS FETARE

- Advertisement -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

të fundit...

- Advertisement -spot_img

 Ndikimi historik i Islamit në formimin e identitetit tonë

Ekzistenca dhe zhvillimi ynë në këto anë ka qenë dhe është edhe sot i lidhur ngushtë me Islamin. Ne u formuam si komunitet kur Islami erdhi në këto troje. Ai për ne ka përfaqësuar një shikim shpirtëror, mendor dhe praktik të jetës.

Gjatë pesë shekujve të ekzistencës sonë jemi dëshmuar me aktivitete të ndryshme. Gjatë atyre pesë shekujve kemi pasur një zhvillim të jetës historikisht të kushtëzuar, të përbashkët për njerëzit. Të gjitha aktivitetet kryesore e të veçanta që kanë formuar qëndrueshmërinë tonë historike janë formuar nën ndikimin e Islamit.

Këto kushte të jetës sonë, të cilat janë formuar mbi të njëjtin parim dhe nën të njëjtat ndikime historike, ende ekzistojnë brenda kornizave të ekzistencës fetare. Ekzistojnë më shumë komunitete islame që janë formuar në këtë mënyrë. Një nga këto komunitete, që paraqet mendimin dhe jetën islame, është Pakistani. Përveç kësaj, ka edhe disa vende të tjera islame që ekzistojnë në të njëjtën mënyrë, si Indonezia dhe Malajzia. Pothuajse e njëjta gjë mund të thuhet për Botën islame në përgjithësi: të gjitha ato vazhdojnë të jetojnë brenda kornizave të ngushta të ekzistencës fetare.

Shtrëmbërimi i mësimeve islame dhe ngushtimi i fesë në rituale

Kur Islami përfaqësonte një forcë dinamike lëvizëse dhe përfshinte të gjitha veprimtaritë njerëzore, kornizat e kësaj mënyre ekzistence ishin të gjera e gjithëpërfshirëse. Ato ishin të hapura për çdo veprim e proces. Nuk kishte ndarje mes fetarit dhe laikut, mes kësaj bote dhe ahiretit.
Besohej se e vërteta është një dhe e mira është e pandashme. Ajo që është e vërtetë dhe e mirë në këtë Botë, ka të njëjtat cilësi edhe në Botën tjetër.

Mirëpo, me kalimin e kohës, në epokën e dekadencës që përjetoi bota islame, në të kuptuarit e Islamit u futën shumë elemente të huaja e të kundërta me mësimet e tij. Mendimi evropian, i cili lindi si reagim ndaj kontrollit të kishës, e përzuri fenë nga jeta publike dhe e la në sferën e çështjeve intime. Ky mendim, sidomos në formën e tij materialiste e ekzistencialiste, e mohoi fenë, duke e quajtur “opium për popullin”.

Në të njëjtën kohë, ndikimi i mësimeve të shtrembëruara dervish e sufi e ngushtoi Islamin në disa rregulla rituale. U krijua bindja se besimtari i vërtetë është ai që largohet nga jeta e kësaj bote dhe i përçmon të mirat materiale. Sipas interpretimeve të caktuara, “Zoti e urren këtë Botë, ndaj më mirë është të mos kesh fare, sesa të kesh e të ndihmosh të tjerët”.

Kështu, feja u reduktua në namaz, agjërim dhe haxh, ndërsa u anashkalua plotësisht roli i Islamit në kulturë, ekonomi, shoqëri dhe zhvillim!

Pasivizimi i besimtarit dhe nevoja për rikthim te kuptimi i pastër islam

Mendimi sufi i shtrembëruar  i mbushur me pasivitet, nënshtrim dhe dorëzim të verbër ndaj fatit  u bë dominues në periudhën e dekadencës islame. Për pasojë, muslimani që duhej të ishte aktiv, krijues dhe drejtues i proceseve, u shndërrua në vëzhgues pasiv që duhej të duronte në heshtje goditjet e jetës.

Durimi u keqkuptua si devotshmëri ndaj Zotit: “sa më shumë të duroje të keqen, aq më i pëlqyer ëshë te Zoti”!

Kështu, mësimi i Islamit u përmbys. Konceptet u keqinterpretuan dhe muslimanit iu mohua roli i tij aktiv në shoqëri e zhvillim.

Rrjedhimisht, nevoja për t’u rikthyer te kuptimi origjinal, i pastër dhe gjithëpërfshirës i Islamit bëhet më urgjente se kurrë. Në vend që të njihej me ligjet e zhvillimit dhe të përshtaste përpjekjet e tij subjektive me rrymat e përgjithshme të lëvizjes, në të cilat njeriu duhet të gjejë vendin e vet dhe të marrë përgjegjësinë e vet, ai iu kthye mistikëve të përgjumur, duke shpresuar se përmes përpjekjes dhe flijimit të dikujt tjetër do të arrinte shpëtimin, duke e shpërfillur plotësisht veten si faktor në fatin e tij. Ai iu nënshtrua fatit dhe priste Mehdiun. Thonë se: një minare në Damask është vendosur një lis i bardhë, ku duhet të zbresë Isa a.s., i cili, sipas një përralle, do ta mbushë tokën me drejtësi dhe mirësi dhe do ta rivendosë Sheriatin.

Në këtë shpresë mashtruese dhe përgjumëse, myslimanët pritën në gjumë. Kot pritën, në vend të Mehdiut, erdhi Lorensi si kolonizator, i cili, kur u tërhoq, la Balfurin, e më pas Moshe Dajanin, me pa fund probleme dhe barrë që vazhdojnë të rëndojnë Botën islame. Një nga ato probleme të rënda, që ndoshta më shumë se çdo problem tjetër e rëndon myslimanin, është konflikti në Lindjen e Mesme.

Sa i përket historisë sonë këtu në këtë pjesë të Botës, mund të thuhet se ajo përmban kryesisht tre elemente që janë të lidhura ngushtë me Botën islame. Ngjarjet e mëdha dhe përjetimet jashtë kanë ndikuar në jetën tonë fetare dhe vetë ekzistencën tonë.

Këtu ishte e rëndësishme të theksohen disa pika:

  • Bashkësia islame në këto anë është relativisht e re. Islami këtu erdhi, siç dihet, përmes pushtimit turk. Ajo që vjen përmes pushtimit zakonisht sjell ndikime të veçanta, të cilat, të themi të vërtetën, nuk janë aspak të mira. Pushtimi zakonisht sjell elemente të karakterit luftarak, ngjyrosje të shumta dhe deformime. Atë këtu e përhapën kryesisht dervishët. Prandaj u theksua tepër elementi mistik, metafizik, konservator dhe formalist.

Për më tepër, është shumë e rëndësishme të kemi parasysh se Islami u shfaq në këto anë menjëherë pas disfatave të mëdha të myslimanëve. Pikërisht në çastin kur Islami, pas 800 vitesh të pranisë në Spanjë, ku arriti majat më të larta në shumë fusha, u tërhoq nga ai vend nën terrorin famëkeq të inkuizicionit, ai me pushtimin e Stambollit bëri një depërtim të madh nga lindja në Evropë dhe Ballkan. Disa autorë islamë mendojnë se ky depërtim paraqiste një lloj kompensimi për atë që u humb në Andaluzí. Ushtarakisht, ndoshta është e vërtetë, u pushtuan territore të mëdha. Turqit madje arritën deri në Vjenë.

Por nga ana kulturore dhe shpirtërore, nuk mund të thuhet se u kompensua humbja e Spanjës. Mendimi islam që atëherë ishte në rënie. Ai u ngurtësua në kornizat e formuara në shekujt e parë të Islamit. Interpretimi turk i koncepteve islamike i ngushtoi edhe më shumë ato korniza.

Jeta në stagnim

E lidhur me forma të mbijetuara e të tejkaluara më herët, ajo nuk mund të zhvillohej më tej. 2) Presioni i mendimit evropian dhe i krishterimit ndihej që shumë kohë në këtë rajon. Pas largimit të turqve dhe rënies së sundimit të tyre, ky presion u bë edhe më i fortë. Me kalimin e kohës Islami jo vetëm që u tërhoq gjeografikisht, por gjithnjë më shumë dobësohej ndikimi i tij shpirtëror dhe kulturor. Të shtyrë nga presioni i shumanshëm dhe i pazakontë, myslimanët  mbylleshin gjithnjë e më shumë në vetvete.

Rrethi i shfaqjeve të jetës së tyre, i ekzistencës së tyre, dita-ditës ngushtohej

  • Kur flasim për faktorët që kontribuuan në mbylljen e myslimanëve në një rreth të ngushtë të ekzistencës vetëm fetare, nuk duhet ta lëmë pa përmendur faktin se Islami në këto treva erdhi përmes pushtimeve turke, gjë që jetës në këto anë i dha karakterin e një okupimi të huaj. Turqia për këto vise dhe popujt e tyre përfaqësonte me të vërtetë një pushtues të huaj. Për këtë arsye duhej luftuar dhe duhej larguar.

Është krejt natyrshëm, e kuptueshme, deri diku edhe e arsyeshme që të flitet për okupatorin dhe okupimin, sidomos gjatë zgjimit të vetëdijes kombëtare, rebelimit dhe luftës për çlirim kombëtar, si dhe menjëherë pas çlirimit, për okupatorin dhe gjurmët e okupimit shpesh flitet me fjalor shumë të rënduar, shpeshherë me elemente të trillimeve më të shëmtuara. Pas largimit të turqve, myslimanët vendas që mbetën në tokën e tyre duhej të mbartnin pasojat e figurës së okupatorit… Gjatë kohë janë identifikuar me turqit. Edhe sot e kësaj dite ka tendenca të tilla. Ishte krejt normale të pritej që përpjekja e cila shpesh mund të mbante motive hakmarrëse …, me qëllim që të zhdukeshin gjurmët e okupimit, të godiste myslimanët, sepse ata ishin më të dukshëm në ato gjurmë!

Kështu që edhe ky presion i brendshëm kontribuoi në shtypjen e elementit islam të jetës, dobësimin e pozicionit të tyre dhe ngushtimin e hapësirës së manifestimit të vetvetes, në izolim, mbyllje dhe tërheqje në vetvete. Megjithatë, kjo tërheqje, mbyllje dhe kthim në një formë ekzistence krejtësisht të ngushtë fetare, e cila shfaqej kryesisht përmes ritualeve, duhej medoemos të arrinte një pikë nga e cila nuk mund të shkonte më tej.

Dhe kjo me të vërtetë ndodhi. Tërheqja nuk mund të vazhdonte pafund. Erdhi fundi, ai moment paraqiste pikën shumë delikate dhe kritike në zhvillimin e myslimanëve. Në atë çast ata u gjendën përballë shpërthimit të pashmangshëm të kornizave të ngushta të ekzistencës fetare. Zhvillimi bashkëkohor përshpejtoi procesin e daljes nga izolimi dhe çlirimin e formave të mbetura të jetës.

Por kah të shkohet tani?

Nuk është aspak e thjeshtë të jepet përgjigje. Që t’i përgjigjeshim drejt kësaj pyetjeje, duhej më parë t’u përgjigjeshim disa pyetjeve të tjera, dhe kjo është: çfarë e shkaktoi atë prapambetje në Botën islame dhe çfarë e mbajti atë vend kaq gjatë në atë gjendje të prapambështetje?

Autorët perëndimorë, historianët, sociologët, veçanërisht të ashtuquajturit orientalistë, duke u përpjekur t’i përgjigjeshin kësaj pyetjeje dhe duke u përpjekur të dëshmonin se për këtë fajtor duhet të ishte Islami, kanë dhënë përgjigjet e tyre. Ata donin t’i impononin Botës islame recetat dhe zgjidhjet e veta, duke u nisur nga supozime të dyshimta dhe nga udhëheqja e paragjykuar. Para së gjithash, ata që e deshën Botën islame vetëm për kolonizim, apo ata që, siç thoshin, nuk e dashnin atë, por dëshironin t’i ndihmonin myslimanët. Nga njëra anë, ata u nisën nga analogjia me përvojën e tyre të zgjimit kombëtar të aplikuar tek myslimanët. Dihet se që nga zgjimi i Botës perëndimore, filloi në procesin e çlirimit nga ndikimi i kishës.

Është e padiskutueshme se civilizimi perëndimor për lindjen dhe zhvillimin e tij i detyrohet një procesi të gjatë emancipimi nga trysnia e inkuizicionit, i cili në mënyrë të pamëshirshme e shtypte çdo liri të mendimit njerëzor.

        A duhet që popujt islamë, në zgjimin e tyre, të ndjekin të njëjtën rrugë, të shfrytëzojnë përvojën e popujve perëndimorë dhe të pranojnë sugjerimet e tyre

A do të duhej që zgjimi i popujve islamë, çlirimi i tyre nga trashëgimia e rëndë e së kaluarës, ashtu siç ndodhi në Evropë  si dalje nga rrethi i ngushtë i ekzistencës fetare  të nënkuptojë braktisjen e Islamit dhe eliminimin e ndikimit të tij?

Nuk dëshiroj të hyj këtu në një analizë më të hollësishme të kësaj çështjeje. Dua të theksoj vetëm se shkaqet e prapambetjes së Botës perëndimore në Mesjetë dhe shkaqet e prapambetjes së Botës islame në ditët tona janë krejtësisht të ndryshme. Këtu duhet t’i bëjmë dallim këtyre dy dukurive. Me këtë rast mund të theksoj se myslimanët filluan të humbnin pozitat dhe të rrënoheshin në momentin kur u larguan nga parimet islame. Në rastin e Evropës ndodhi e kundërta.

Prandaj, më duket se ajo që ka vlejtur si rregull dhe përvojë në zgjimin e popujve perëndimorë dhe në formimin e kulturës perëndimore, nuk është e domosdoshme të vlejë edhe në zgjimin e myslimanëve.

Mirëpo, kur në të vërtetë filloi zgjimi i popujve islamë, procesi nuk u zhvillua aspak në drejtimin e dëshiruar. Në fazën e parë të këtij zgjimi, disa vende islamike ecën në rrugën e laicizmit dhe të shkëputjes nga feja, duke ndjekur shembullin e popujve perëndimorë. Për këtë kemi shembullin më të mirë në figurën e Mustafa Qemal Ataturkut të Turqisë. Nuk ka dyshim se laicizmi dhe politika e tij u bënë një nga mënyrat më të lehta të depërtimit të ideve të huaja dhe të imitimit mekanik të mendimeve dhe recetave të huaja.

Turqia ka qenë e para në këtë drejtim, por jo e vetmja. Pas saj ndoqi edhe Sukarno në Indonezi. Lëvizja basiste në Botën arabe tregon shumë ngjashmëri me kemalizmin. Forcat e reja progresive, të cilat gjithnjë e më shumë po dalin në skenë në shumë vende islame dhe po marrin pushtetin në to, mbartin në vetvete elemente të mendimit laicist.

Siç dëshmojnë të gjitha shenjat e zhvillimeve bashkëkohore në vendet islame, dalja nga rrethi i ngushtë fetar po ndodh në kuptimin e laicizimit, të pranimit dhe zbatimit të mendimit bashkëkohor progresiv. Edhe ato vende që në emrin dhe kushtetutën e tyre e kanë Islamin, kanë gjithnjë e më pak të pranishëm këtë (islamin) në jetën e tyre. Në jetën shoqërore, kulturore, ekonomike dhe politike të këtyre vendeve dominon zbatimi i mendimit të kohës moderne, sidomos ai i progresit socialist. Ky mendim afirmohet gjithnjë e më fuqishëm dhe bëhet gjithnjë e më aktual në shumicën e vendeve islame. Atë e pranon me entuziazëm gjenerata e re, e cila e ndien më së shumti tragjedinë e së kaluarës së rëndë dhe të dhimbshme, si edhe konfuzionin e situatës së tashme.

Prandaj shpesh shohim edhe revolucione në vendet islame, të cilat i udhëheq rinia. Gjenerata e re e ka humbur durimin. Ajo nuk mund të presë më, nuk mund t’i durojë më trysnitë e komplekseve dhe të peshave të ndryshme. Ajo duhej të lëvizte dhe realisht është vënë në lëvizje. Por mosvallë ka gabuar? Jo! Kjo është e domosdoshme në këtë moment. Nuk duhet t’ua marrim për të keq që në fillim nuk gjejnë zgjidhjet më të përshtatshme. Nuk është e lehtë, dhe as nuk mund të jetë e lehtë, të gjenden menjëherë zgjidhje ideale. Problemet janë grumbulluar për shekuj me radhë,ato bëheshin gjithnjë e më të ndërlikuara dhe aktuale.

Presioni ishte aq i fortë, saqë nuk linte mjaftueshëm kohë as qetësi për një reflektim më të thellë dhe për gjetjen e zgjidhjeve më të mira.

Në këtë udhëkryq historik, në këto ngjarje me rëndësi fatale, sipas mendimit të gjeneratës së re, më urgjentja dhe më me përparësi ishte të shkëputeshin nga e kaluara dhe të dilnin nga ai rreth i ngushtë i mbyllur e i magjepsur, ku për shekuj të tërë kishin zvarritur, fjetur, dremitur dhe jetuar në apati.

Periudha e shkëputjes dhe daljes nga ky rreth i mbyllur nuk do të jetë e shkurtër, as e lehtë dhe nuk do të kalojë pa tronditje. Do të ketë luhatje dhe shpesh edhe humbje të orientimit. Vetë momenti historik, në të cilin po zhvillohet zgjimi i popujve islamë dhe po hapet procesi i këtij zgjimi, është jashtëzakonisht i ndjeshëm dhe tejet kompleks.

Brenda vetë Botës mbizotëruese perëndimore moderne kanë ndodhur përplasje të mëdha ideologjike, ndarje të Botës në blloqe dhe sfera ndikimi. Arritjet e mëdha teknike dhe karakteri konsumator i qytetërimit bashkëkohor kanë shkaktuar çrregullime të mëdha edhe në fushën e zhvillimit shpirtëror dhe material.

Në një situatë kaq të trazuar, plot me koncepte të ndryshme, teori, sisteme, prapa të cilave qëndron gjenerata e re e popujve islamë e cila zgjoi Botën islame.

 

Por ku të gjejnë shembull?

Pas tyre qëndron një e kaluar e gjatë, e mbushur me humbje të rënda, pikërisht sepse kishte humbur shpresën dhe lirinë. Por para tyre qëndron një e panjohur, një e ardhme e pasigurt, e cila është e lidhur ngushtë me progresin teknik të Botës, por edhe me kriteret e saj shpirtërore dhe etiko-morale, të cilat shpesh janë të dyshimta dhe madje të rrezikshme.

Zgjimi i Botës islame është akti më autentik i asaj bote dhe në vete bart të gjitha bartjet, shprehjet dhe dhimbjet e saj, edhe ato të fortat edhe ato të dobëtat, të cilat në asnjë mënyrë nuk janë të pjekura për të ndikuar në rrjedhat e përgjithshme të zhvillimit.

Zhvillimeve bashkëkohore në Botën islame duhet t’u qasemi sa më me kthjelltësi dhe sa më me maturi. Duhet t’u qasemi me besim dhe durim. Duhet të kemi besim në lëvizje, punë … Ai që lëviz, qoftë edhe me vijë të shtrembër e të thyer, prapë se prapë, edhe pse me vonesë, do të arrijë në qëllim.

Ka pasur myslimanë ( ka edhe sot) që e kanë dënuar Qemalizmin. Ai u është dukur tepër radikal në raport me fenë. Mund të supozohet se ka edhe sot myslimanë, të cilët për të njëjtat arsye nuk e aprovojnë socializmin arab të Naserit, kanë frikë nga ringritja basiste, e shohin me mosbesim revolucionin sudanez, libian dhe somalez. Ndoshta këta njerëz, nga pozicionet e tyre statike, i kanë arsyet e tyre, ndonëse ato nuk janë edhe aq të forta. Nga perspektiva historike, megjithatë, këto lëvizje kanë arsyetim të thellë. Kritikët nuk do ta merrnin fare seriozisht pyetjen se çfarë në të vërtetë paraqiste revolucioni kemalist në Turqi në vetëdijen e masës së myslimanëve, i cili ishte i lidhur me institucionin e hilafetit, me ulematë, me dervishët, me tekke dhe me gjithçka tjetër.

Nëse Kemali nuk e njihte Islamin në kuptimin e drejtë, e me shumë gjasë nuk e njihte, atëherë ai duhej ta njihte Islamin ashtu siç ishte në vetëdijen e masës në atë kohë, dhe kjo e çoi në konflikt të ashpër. Edhe sot, në afërsi të drejtpërdrejtë të Az’harit, nën kupolat e tij, jetojnë njerëz që çdo natë rrahin gjoksin për Husejnin dhe thonë se, gjoja, koka e Hazreti Husejnit, nipit të të Dërguarit të Allahut, është e varrosur aty, dhe i drejtohen atij të ndihmojë, të mbrojë nga agresioni izraelit

,nuk duhet të çuditemi e as t’i zemërohemi Naserit kur ai i kundërvihet kësaj fryme destruktive që jeton nën petkun e fesë. Nëse në Damask, në xhaminë e Umejadëve, shihen të vendosura opinga, në pritje të ardhjes së shpejtë të Isait të birit të Merjemes, i cili, sipas tyre, do të shpëtojë myslimanët atëherë çfarë të thuhet për disa banorë të Basrës, të cilët kur t’iu bien kambanat, i vendosin opingat dhe u kundërvihen kësaj fryme të dëmshme e shkatërruese me pritjet e tyre? E po kështu, kur i drejtoheni faktorëve përkatës në Irak e në Iran, pra atje ku jetojnë shiitët, dhe i gjeni të përballur me frymën e Mehdiut që e ka pushtuar ndërgjegjen e masave, është vështirë të presësh tjetër gjë.

Duhet theksuar se të gjitha këto lloje të ndikimit negativ, pasiv dhe destruktiv, veprojnë dhe jetojnë nën petkun e Islamit.

Më duket se tani i kemi shumë më të qarta vështirësitë që qëndrojnë në rrugën e ringjalljes dhe zgjimit të Botës islame.

Së pari, është e nevojshme të çrrënjosen format apokrife dhe të rreme të Islamit, në mënyrë që të shkëlqejë sërish Islami i vërtetë burimor.

Procesi i zgjimit të myslimanëve në vendet tona ka rrugën e vet të veçantë, e cila është e kushtëzuar nga rrethanat dhe kushtet e jetës në këto hapësira. Është e vërtetë se në to ka diçka të përbashkët me të tjerët, ngaqë disa bashkësi i nënshtrohen të njëjtave rrethana dhe trysnive të gjithëmbarshme.

Myslimanët e Jugosllavisë2, veçanërisht ata të Bosnjës e Hercegovinës, u kontaktuan shumë herët me jetën moderne, e cila u pati depërtuar në vendbanimet e tyre. Ajo u përhap para se të arrinin ata të shkëputeshin nga rrethi i mbyllur tradicional.

Kjo është ndoshta arsyeja pse pjesa më e madhe e myslimanëve të Jugosllavisë nuk u përpoq të shqyrtonte vendin e vet në degët e reja të jetës, e për këtë arsye, me zhvillimin e vrullshëm të jetës moderne, u përthithën dhe u shtypën krejtësisht.

Qysh gjatë okupimit austro-hungarez, e veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, filloi të shfaqet procesi i lindjes së forcave të reja intelektuale laiciste të cilat kërkonin një orientim të ri që do të përfshinte pjesëmarrjen aktive në proceset bashkëkohore dhe daljen nga rrethi i mbyllur. Këto forca të reja shpejt hynë në konflikt me forcat konservative të vjetra, të cilat i kundërshtonin çdo daljeje nga rrethi i tyre tradicional.

Zhvillimi socialist më pas krijoi kushtet më të mira dhe përshpejtoi daljen dhe rritjen e forcave të reja progresive dhe procesin e kapërcimit të formave të ngushta të ekzistencës sonë. Në kushtet e barazisë dhe mundësive të njëjta për të gjithë, myslimanët, mund të thuhet, e kuptuan më në fund se afirmimi dhe vendi në shoqëri fitohet vetëm me punë të palodhur, përpjekje, sakrifica dhe aftësi personale. Barazia e vërtetë në jetën praktike nuk mund të arrihet pa njerëz të aftë, të cilët janë në gjendje t’i kryejnë me sukses funksionet shoqërore. Nëse nuk kemi mjaft profesionistë dhe kuadro të afta  teknike, shkencore, kulturore, punëtore, arsimore, mjekësore etj. Nuk do të mund ta afirmojmë veten dhe të zëmë vendin e merituar, pavarësisht se na takon. Një gjë është e drejtë, por gjëja tjetër është ta dish, ta duash dhe ta dish ta përdorësh.

Derisa myslimanët mund të jenë disi të kënaqur me gjendjen aktuale të vetëdijes së tyre, në këtë pikë nuk duhet të kënaqen…

Aktivitetet njerëzore kanë dalë nga pasiviteti dhe po bëjnë depërtime gjithnjë e më të thella në të gjitha fushat e jetës.

Suksesi më i madh i myslimanëve dhe afirmimi i tyre më i rëndësishëm shoqëror e politik është padyshim njohja e statusit të ri, me të cilin myslimanëve të Bosnjës e Hercegovinës u është njohur trajtimi si popull i barabartë. Ky është vërtet një sukses historik, por njëkohësisht edhe një detyrim i madh.

Shumëçka është shkatërruar gjatë një periudhe kur është mohuar qenësia jonë historike.

Nuk duhet të mashtrohemi fare se ky proces i vonuar mund të përmbyllet shpejt dhe lehtë. Do të ketë vështirësi. Njëra prej tyre, ndoshta më e rëndësishmja, do të jetë me siguri antagonizmi ndërmjet forcave të bazës dhe forcave të mbishtresës shoqërore.

Forcat që kanë dalë nga baza, kanë tejkaluar kufijtë e ngushtë të ekzistencës fetare dhe kanë depërtuar në të gjitha sferat e jetës, nuk heqin dorë lehtë nga baza dhe nuk preferojnë t’i përdorin institucionet e saj.

Vështirësia qëndron në faktin se këto forca të reja progresive ende nuk kanë në dispozicion institucione bashkëkohore të mbishtresës të përputhshme me statusin e ri. Ndërkohë, forcat e bazës dhe institucionet e tyre tradicionale, duhet pranuar, nuk janë orientuar dhe përshtatur mjaftueshëm. Aty mbizotërojnë elemente të konservatorizmit dhe të reaksionit. Ato janë të njëanshme dhe të kthyera më shumë nga e kaluara.

Mendoj se pak është reflektuar mbi procesin e pashmangshëm të ballafaqimit të këtyre dy forcave. Madje është e pasigurt edhe mënyra se si do të zhvillohet procesi i kapërcimit të këtij antagonizmi dhe transformimi i tyre. Dy mundësi paraqiten:

Që forcat e mbishtresës dhe ato të bazës të takohen diku në gjysmë të rrugës dhe të integrohen. Kjo do të ishte e mundshme nëse forcat progresive do të çliroheshin nga disa komplekse ndaj bazës së tyre, ndërsa forcat konservative të bazës do të çliroheshin nga ngarkesat e tyre ndaj së resë dhe progresives. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, do të pasonte një periudhë përplasjesh të ndërsjella, prej nga do të dëmtohej çështja e përgjithshme. Forcat progresive, duke refuzuar përdorimin e institucioneve të bazës, do të duhej të prisnin ngritjen e institucioneve të veta, gjë që, me shumë gjasa, do të zgjaste mjaft.

Nuk e di, as nuk jam i sigurt, se ç’rrjedhë do të marrë zhvillimi i këtij problemi, por, pavarësisht kësaj, do të veçoja disa çështje:

– Brenda forcave të reja progresive ka ende njerëz që qasen me hezitim dhe me një lloj frike ndaj problemit të qëndrueshmërisë sonë. Duket se ata ende ndiejnë praninë e tendencave që dikur mohonin ekzistencën tonë. Në vend që të çlirohen nga kompleksi i inferioritetit dhe t’u kundërvihen këtyre tendencave, ata, më së buti thënë, u nënshtrohen atyre. Nëse dikur, në kohën kur këto tendenca ishin dominuese, një sjellje e tillë kishte një lloj arsyetimi, sot ajo është shenjë e dobësisë, servilizmit dhe oportunizmit absurd. Sot një qëndrim i tillë nuk mund të arsyetohet me asgjë…. Çdo kush që, për çfarëdo arsye, nuk përfshihet në këto përpjekje, bën një gabim të pafalshëm ndaj shoqërisë sonë. Nëse unë, si mysliman, frikësohem të shprehem hapur si i tillë  gjë që është e drejta ime e plotë atëherë diçka nuk është në rregull me mua. Nuk mund të justifikohem më me ekzistencën e tendencave reaksionare, sepse tashmë nuk jam i vetëm në këtë përballje. Me mua është i tërë sistemi shoqëror. Ekzistenca ime si mysliman është bërë pjesë përbërëse e shoqërisë. Mungesa e vetëdijes për veten si mysliman është njëkohësisht mungesë e vetëdijes shoqërore.

Përse hezitim e frikë, kur bëhet fjalë për vetë ekzistencën tonë?

Të mbështetesh këtë me pretendime për progres është vetëm një mashtrim.

– Sa u përket forcave të bazës, duhet thënë se ato mbartin në vete të gjitha shenjat historike të kësaj baze. Ne kemi folur mjaftueshëm për ngushtimin dhe tiparet kryesore të saj. Nuk është e tepërt të theksojmë sërish se tiparet themelore të forcave të bazës janë: konservatorizmi, mistika, metafizika dhe mbyllja në vetvete. Si pasojë e kësaj, shfaqet pamjaftueshmëri në orientim, përshtatje e dobët dhe stagnim.

-Si përfundim, mund të konstatohet se si nga baza, ashtu edhe nga mbishtresa po lindin forca jashtëzakonisht pozitive, të cilat po i afrohen njëra-tjetrës dhe do të takohen diku. Është e vështirë të thuhet se sa do të zgjasë ky proces afrimi, por e rëndësishme është se ai tashmë ka filluar. Po konsolidohet gjithnjë e më shumë ndërgjegjja se nuk mund të ndërtohet pa bazë, por baza duhet të jetë e shëndetshme e solide, në mënyrë që të mbajë mbishtresën e re bashkëkohore jo në një ose dy kate, por në njëzet e më shumë.

Pavarësisht vështirësive që na presin, mund të shohim me optimizëm drejt së ardhmes sonë më të mirë. Po rriten forca të reja, të çliruara nga paragjykimet, skajshmëritë dhe komplekset, qofshin ato të konservatorizmit apo të modernitetit.

 

 

 

1.H. Husein Xhezo. Gllasni. Nr:3-4. Sarajevë, Mars-Prill 1970.

2.Ne Kohen e publikimit te artikullit ishte Jugosllavia, teni Ish Jugosllavia!

 

 

Përktheu dhe Përshtati : Ma. Vehbi shatri

 

 

 

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...