Ditë më parë nga Këshilli i Evropës kanë bërë të ditur për Telegrafin se çështja e anëtarësimit të Kosovës aktualisht nuk është në agjendën e Komitetit të Ministrave, ndonëse në prill të këtij viti Asambleja Parlamentare e KiE-së miratoi raportin e Dora Bakoyannis e cila rekomandon fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion.
Zyrtarja për informim në Këshillin e Evropës, Estelle Steiner, në një deklaratë me shkrim për Telegrafin ditë më parë tha se aplikimi i Kosovës aktualisht nuk figuron në diskutimet e radhës të këtij komiteti.
“Kosova tani nuk është në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave”, ka thënë Steiner.
Sipas agjendës, ministrat e Punëve të Jashtme të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës do të mbajnë sesionin e tyre vjetor më 17 maj 2024, në kuadër të 75-vjetorit të Organizatës.
Agjenda do të përfshijë masat që Këshilli i Evropës po vazhdon të marrë në përgjigje të agresionit të plotë të Federatës Ruse kundër Ukrainës, zbatimin e Deklaratës së Rejkjavikut (miratuar në Samitin e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive në 2023) dhe miratimin të një Konvente Kuadër për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e Ligjit.
Sipas agjendës, po ashtu ministrat do të shqyrtojnë punën e Organizatës në fusha të tilla si të drejtat e njeriut, duke përfshirë të drejtat sociale dhe të drejtat e fëmijëve, demokracinë, sundimin e ligjit, luftën kundër dënimit me vdekje, arsimin dhe kulturën, pjesëmarrjen e shoqërisë civile dhe të rinjve, të drejtat e njeriut në epokën digjitale, migrimin dhe trafikimin e qenieve njerëzore, mbrojtjen e gazetarëve dhe masat për të luftuar dezinformimin, antidiskriminimin dhe përfshirjen, barazinë gjinore dhe mjedisin.
Ata do të diskutojnë gjithashtu bashkëpunimin midis Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian. Në fund të seancës ministrore, Lihtenshtajni do t’i dorëzojë Lituanisë presidencën e Komitetit të Ministrave.
Ndryshe, pas miratimit të raportit të Dora Bakoyannis në Asamblenë Parlamentare nisën kërkesat për lëvizje para lidhur me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndonëse një gjë e tillë nuk kërkohej në raportin e raportueses për Kosovën.
E lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës dhe “kërkesat” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është deklaruar edhe kryeministri Albin Kurti.
Kryeministri në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka thënë se Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshill të Evropës me Asociacionin.
“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshill të Evropës me Asociacionin. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë bisedojmë në Bruksel e jo në Strasburg”, tha Kurti.
Ai ka thënë se pavarësisht votimit pozitiv nga asambleja e KiE në prill të këtij viti që Komiteti i Ministrave ta ftoj Kosovën të bëhet anëtare e plotë, në këto javët e fundit janë përballur me një kusht të ri që sipas kryeministrit nuk ka të bëjë aspak me standardet e anëtarësimit në këtë organizatë.
“Pas kushtit që të zbatohet një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, ne dëgjuam se ka kryeqytete që po kushtëzojnë procesin e anëtarësimit me dërgimin e një dokumenti në Kushtetuese. Ky dokument i sjell tek ne nga emisari i BE-së Miroslav Lajçak së bashku me këshilltarët diplomatikë të shteteve të QUINT-it nuk u pranua më 26 tetor të vitit të kaluar. Kosova ka ofruar që ai dokument të bëhet pjesë e pakos së marrëveshjes bazike të Brukselit aneksit të Ohrit dhe të nënshkruhet për tu bërë ligjërisht i obligueshëm dhe i zbatueshëm por u refuzua nga Serbia”, ka deklaruar Kurti.