Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, priti sot në takim Sekretarin e Shtetëror të Mbretërisë së Suedisë, Mikael Kullberg. Pas takimit, ata nënshkruan tri Marrëveshje Bashkëpunimi që fokusohen në forcimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë.
Republika e Kosovës bëhet kështu shteti i parë në Ballkan që lidhë marrëveshje të tilla me Suedinë, një hap i rëndësishëm në avancimin e partneritetit mes dy vendeve.
Në njoftim thuhet se ministrja Haxhiu theksoi se “ky akt është një hap tutje në avancimin dhe thellimin e partneritetit dhe bashkëpunimit në mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë në fushën juridike ndërkombëtare,”
Marrëveshja për Ekstradim, e cila është gjithashtu e rëndësishme, “përmban rregullime të hollësishme për procedurat që do të ndiqen nga momenti i parashtrimit të kërkesës për ekstradim deri në dorëzimin e personit të ekstraduar,” theksoi ministrja.
Ndërsa, Marrëveshja për Transferimin e Personave të Dënuar synon të përmirësojë bashkëpunimin në fushën e drejtësisë dhe rehabilitimin social të personave të dënuar, duke lejuar transferimin e tyre për ekzekutimin e dënimeve në shtetin e vendbanimit të përhershëm.
Këto marrëveshje shënojnë një hap të rëndësishëm për avancimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Kosovës dhe forcimin e sistemit të drejtësisë. /Telegrafi/