Sipas të dhënave të institutit të statistikave INSTAT, në muajin maj të këtij viti, Shqipëria realizoi me vendet e rajonit, Serbinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje Hercegovinën rreth 10.5 për qind të volumit tregtar ku përfshihen importet dhe eksportet.
Panorama me këto shtete është e ndryshme, teksa Kosova është partneri kryesor i eksporteve dhe shteti ku kemi bilancin më të madh pozitiv me +2.7 miliardë lekë [26.5 milionë euro], ndërsa e kundërta, nga Serbia marrim më shumë importe dhe kemi deficitin më të madh tregtar me -645 milionë lekë (6.3 milionë euro). Me Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje Hercegovinën, Shqipëria rezulton me sufiçit tregtar.
“Scan Intel” ka analizuar të dhënat për të kuptuar sesi ka ndryshuar marrëdhënia e tregtimit mes vendeve të rajonit. Sipas shifrave, Shqipëria ka rritur eksportet në vlerë vetëm me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën me të cilat shkëmbeu respektivisht 3.8 miliardë lekë dhe 1.3 miliardë lekë, ndërsa në të gjitha vendet e tjera të rajonit vlera e eksporteve ka rënë. Kjo rënie konstatohet në 30.1 për qind në Bosnje-Hercegovinë, 35.2% në Malin e Zi dhe 11.2% në Serbi.
Sa i përket importeve në vlerë Shqipëria ka forcuar marrëdhëniet vetëm me Kosovën, nga i cili morëm 1.15 miliardë lekë mallra ose 9.1 për qind më shumë se një vit më parë, ndërsa me vendet e tjera vlera e importeve ka shënuar rënie nga 11.4 për qind me Malin e Zi deri në 32.9 përqind me Serbinë. Ndërsa lidhur me importet në vlerë rezulton se Serbia është burimi kryesor për vendin tonë, pasi vetëm në muajin maj të vitit aktual importuam 1.8 miliardë lekë mallra. /Telegrafi/