Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur sot mbledhjen e 54-të të këtij viti, e cila u kryesua nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi.
Në këtë mbledhje, ndër të tjera, u morën disa vendime të rëndësishme në kuadër të përgatitjeve për Zgjedhjet Lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025.
Në fillim të mbledhjes, KQZ vendosi për decertifikimin e 9 kandidatëve nga subjekte të ndryshme politike: një nga “Prishtina në dorën tënde”, një nga Partia Demokratike e Kosovës, një nga Lëvizja për Bashkimin e Shqiptarëve, dy nga Partia Liberale Egjiptiane dhe katër nga Alternativa. Këta kandidatë ishin certifikuar më herët për pjesëmarrje në zgjedhje.
Një ndër vendimet kyçe të kësaj mbledhjeje ishte miratimi i procedurës standarde të veprimit për votimin jashtë Kosovës dhe vlerësimin e pakove me fletëvotime. Ky dokument përcakton qartë hapat që duhet të ndiqen për përgatitjen dhe realizimin e votimit për shtetasit jashtë vendit.
Sipas kësaj procedure: Zarfi me fletëvotime do t’u dërgohet votuesve të regjistruar përmes postës dhe mund të pranohet vetëm nga vetë personi i regjistruar, me verifikim përmes dokumentit identifikues nga zyrtari i postës.
“Zarfi i dërguar do të përmbajë fletëvotimet, një zarf të fshehtësisë, udhëzuesin për votim, zarfin kthyes dhe shiritin mbyllës. Votuesit do të kenë detyrë ta dërgojnë pakon me fletëvotime në kutitë postare të KQZ-së, të cilat do të hapen në shtete të ndryshme. Adresat e këtyre kutive do të publikohen para fillimit të periudhës së votimit me postë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, KQZ miratoi edhe rekomandimin e Komisionit për Kundërshtim Administrativ, që kishte shqyrtuar 275 ankesa të aplikuesve të refuzuar për regjistrim si votues jashtë Kosovës.
Nga këto: 174 ankesa janë refuzuar për shkak të mosrespektimit të procedurës, 77 ankesa janë aprovuar pas kompletimit të dokumenteve, 24 shtetas janë rikthyer në Listën Votuese brenda Kosovës, me kërkesën e tyre për anulimin e regjistrimit për votim jashtë vendit.
Këto vendime përbëjnë një hap të rëndësishëm në garantimin e një procesi zgjedhor të rregullt, gjithëpërfshirës dhe transparent për të gjithë qytetarët e Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.