Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka mbajtur sot takime me kryesinë, deputetët dhe kryetarët e degëve të PDK-së, ku kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një komunikate për media, PDK njofton se Krasniqi ka shprehur shqetësimin e tij për mungesën e transparencës nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, për draft statutin e Asociacionit.
“Kryetari Krasniqi ka shprehur shqetësimin e tij për mungesën e transparencës nga ana e Kryeministrit Kurti në raport me procesin e dialogut, përkatësisht me draft-statutin e Asociacionit, për të cilin nuk ka ndarë akoma asnjë detaj me deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe me qytetarët. Ai tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të njoftohen zyrtarisht nga kryeministri i Kosovës për përmbajtjen e dokumentit që e ka pranuar, si dhe duhet ta dinë se deri në çfarë mase drafti i statutit të Asociacionit do ta ndryshojë rregullimin e brendshëm dhe karakterin unitar të shtetit tonë”, thuhet në komunikatë.
Krasniqi ka ripërsëritur qëndrimin se për PDK-në është i papranueshëm çfarëdolloj statuti, i cili sipas tij, e parasheh formimin e Asociacionit me kompetenca që bien ndesh me idealet themeluese të Kosovës.
Kreu i PDK-së ka thënë se në takimet e këtyre ditëve, ka shprehur qëndrimin konsistent se statuti i Asociacionit duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.