Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), ka bërë të ditur se procesi i rishikimit të teksteve shkollore ka nisur, me rekomandime të Institutit Pedagogjik dhe të Avokatit të Popullit, duke nënvizuar se gjetjet e këtyre dy institucioneve janë shumë të rëndësishme.
Në një konferencë për media, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci deklaroi se për vite me radhë, furnizimi i nxënësve me tekste shkollore ka qenë sfidues dhe jo i drejtë. Me ç’rast ka shtuar se këtë vit shtëpitë botuese padrejtësisht kanë rritur edhe çmimin e teksteve shkollore, porse e njëjta tha se janë duke punuar në këtë drejtim.
Duke folur për përgatitjet e vitit shkollor, Nagavci ka njoftuar se do të ndahen mjete për prindërit e nxënësve në mënyrë që ato të shpenzohen për blerjen e librave.
Ndaj këtyre zhvillimeve ka reaguar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, duke e quajtur skandal qështjen e mosshpërndarjes së librave për nxënësit.
“Skandali nuk po ia pret skandalin kësaj Qeverie. Tani, përveç rritjes së kostos së jetesës, përmes rritjes së çmimit të energjisë e produkteve bazike ushqimore, papunësisë e korrupsionit masiv, prindërit e rënduar ekonomikisht nga keqqeverisja e këtij pushteti duhet që të blejnë edhe librat për fëmijët e tyre”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka shprehur dyshimet e tij në lidhje me rimbursimin e premtuar nga Qeveria për prindërit që u blejnë libra nxënësve.
“Mbi 300 mijë familje kosovare do të detyrohen t’i blejnë librat për fëmijët e tyre – të pasigurt nëse ndonjëherë do t’u rimbursohen ato të holla. Këtë çështje e kishte zgjidhur rreth 15 vite më parë ish-kryeministri Hashim Thaçi, duke u lehtësuar sadopak barrën e shkollimit të fëmijëve prindërve kosovarë, përmes sigurimit të librave falas”.