Policia e Shtetit ka bërë të ditur se tre persona janë arrestuar në Berat me urdhër të Prokurorisë pasi autoritetet në Kroaci bllokuan dhe më pas asgjësuan rreth 8 tonë domate të ardhura nga Shqipëria që rezultuan me nivel të lartë pesticidesh.
Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se është vënë në pranga administratori i subjektit që prodhoi dhe eksportoi drejt shtetit kroat perime me nivel të lartë preparati “Chlorfenapyr”, si dhe me fatura fiktive blerjeje si dhe dy inspektorë të AKU Berat, pasi gjatë kontrollit që kanë kryer në këtë subjekt, kanë plotësuar praktikën në mënyrë fiktive.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe në drejtimin e Prokurorisë së Beratit, pas informacioneve të marra se në një subjekt grumbulloheshin dhe eksportoheshin perime, për të cilat kishte paligjshmëri në eksportim, organizuan punën dhe finalizuan operacionin. Gjatë operacionit u vunë në pranga 3 shtetas”, thuhet në raport.