Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka ripërsëritur thirrjen për qytetarët që furnizohen me ujë nga Liqeni i Badocit, që të mos e përdorin atë për pije, për shkak të pranisë së manganit.
Në njoftim thuhet se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka konfirmuar se ndotja me mangan është ndotje kimike dhe se vlimi i ujit nuk e eliminon këtë substancë.
Sipas autoriteteve shëndetësore, uji mund të shfrytëzohet vetëm për pastrim, higjienë personale dhe mirëmbajtjen e ambienteve të banimit.
IKSHPK ka rritur kontrollin mbi cilësinë e ujit të pijshëm dhe është duke bashkëpunuar ngushtë me KRU “Prishtina” për të siguruar furnizim me ujë të pijshëm të standardeve të duhura.
Nga ana e saj, KRU “Prishtina” ka ndërmarrë disa masa emergjente duke zvogëluar sasinë e prodhimit për të ruajtur cilësinë e furnizimit, ka intensifikuar procesin e shpëlarjes së rrjetit shpërndarës, përfshirë gypat magjistral dhe sekondar.
Për zonat e prekura, kompania ka bërë të ditur se furnizimi me ujë të pijshëm do të bëhet përmes autoboteve, sipas orarit të caktuar.