Populisti i ekstremit të djathtë, anti-islamiku Geert Wilders, shënoi një fitore të madhe në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Holandë.
Partia e Lirisë e kryesuar prej tij, fitoi 37 vende në parlament, duke dyfishuar reazultatin e marrë nga zgjedhjet e fundit.
Wilders, 60 vjeç, tani ka detyrën e vështirë të formojë një koalicion qeveritar, duke u ballafaquar me rivalët që kategorikisht e kanë përjashtuar një bashkëpunimi me të përpara zgjedhjeve.
Fitorja e papritur shkaktoi entuziazëm tek liderët e tjerë të ekstremit të djathtë në Francë dhe Hungari, të cilët ishin të parët që e uruan.
Fitorja e Wilders ka të ngjarë të ngrejë frikë në Bruksel.
Wilders është kundër BE-së dhe dëshiron të mbajë një votim për një “Nexit” për t’u larguar nga blloku.
Edhe pse ai e zbuti retorikën e tij anti-islame gjatë fushatës, programi i PVV premton një ndalim të Kuranit, xhamive dhe shamive islame.
Program i cili ka bërë që udhëheqësit e komunitetit mysliman në Holandë të ngrejnë alarmin.
“Unë nuk e di nëse muslimanët janë ende të sigurt në Holandë. Unë jam i shqetësuar për këtë vend,” i tha agjencisë lokale ANP Habib el Kaddouri nga shoqata e holandezëve marokenë.
Lizette Keyzer, një menaxhere biznesi 60-vjeçare nga Enschede në lindje të Holandës, tha se kishte pësuar “ankth” kur dolën rezultatet e exit poll.
Vendi “po shkon në drejtimin e djathtë. Shpresojmë që kjo të mos ndodhë plotësisht”, shtoi Keyzer.
Duke iu drejtuar mbështetësve brohoritës në Hagë pas exit-polleve, Wilders dyfishoi retorikën e tij kundër emigrantëve, duke thënë se holandezët kishin votuar për të frenuar “cunamin” e azilkërkuesve.
“PVV nuk mund të injorohet më,” thirri ai, duke u kërkuar palëve të tjera të bëjnë një marrëveshje me të.
Por ende nuk është e qartë se si ai do të mund të mbledhë së bashku 76 vendet që i nevojiten për një shumicë në parlamentin prej 150 vendesh.
Ish-komisioneri evropian Frans Timmermans, nga blloku i të Gjelbërve dhe Laburistëve, i cili doli i dyti, hodhi poshtë menjëherë bashkëpunimin, duke thënë se tani ishte detyra e tyre të “mbronin demokracinë” në vend.