Ministrat e Bashkimit Evropian janë duke diskutuar të martën në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, për paketën e zgjerimit të bllokut evropian.
Pritet që më vonë gjatë ditës në këtë takim të miratohen edhe konkluzionet, ndonëse ka pasur paralajmërime se ato nuk do të kalojnë, pasi Hungaria ka paralajmëruar se do t’i bllokojë me veto.
Por, në versionet e fundit të draftit të konkluzioneve janë hequr rekomandimet për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, dhe i është lënë Këshillit Evropian, i cili takohet të enjten dhe të premten, që të vendosë për një hap të tillë.
Hungaria ka kërkuar që ky vendim për Ukrainën të hiqet tërësisht nga rendi i ditës, pasi nuk ka konsensus mes vendeve anëtare, ndonëse të 26 vendet tjera anëtare janë të gatshme të marrin një vendim të tillë.
Në konkluzionet e përgatitura për takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, BE-ja do të përsërisë përkushtimin për zgjerim, si një proces gjeostrategjik të rëndësishëm për forcimin e paqes në Evropë.
Ajo do t’iu bëjë ftesë të gjitha vendeve të përfshira në këtë proces që të vazhdojnë procesin e reformave të nevojshme për të përparuar në këtë proces, me fokus të veçantë në sundimin e ligjit.
Në pjesën e konkluzioneve, ku flitet për Kosovën, Këshilli i BE-së do të ftojë Kosovën që të bëjë më shumë në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërkohë që mirëpret hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, që do të nisë më 1 janar të vitit të ardhshëm.
Pjesa më e madhe e konkluzioneve, që i kushtohet Kosovës, ka të bëjë me situatën e sigurisë në veri dhe me dialogun me Serbinë.
Këto porosi janë edhe në pjesën e konkluzioneve për Serbinë.
“Këshilli është thellësisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, përfshirë edhe atë të sigurisë. Disa veprime të njëanshme nga Kosova dhe Serbia, sikur edhe dorëheqja kolektive e serbëve të Kosovës nga institucionet, dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, kanë shtuar edhe më shumë tensionet”, thuhet në tekst.
Këshilli do të dënojë ashpër “sulmet e dhunshme të protestuesve serbë të Kosovës ndaj trupave të KFOR-it, organeve të rendit dhe mediave, më 29 maj 2023. Zgjedhjet e reja në veri të Kosovës duhet të zhvillohen sa më parë që të jetë e mundur dhe serbët e Kosovës duhet të marrin pjesë në to pa asnjë parakusht. Serbët e Kosovës, po ashtu, duhet të kthehen në institucionet nga të cilat janë larguar. Kjo duhet të lehtësohet nga Kosova dhe të inkurajohet nga Serbia”, thuhet në këtë draft.