17/06/2024

Kurthi grek në Kornizën Negociuese të BE për Shqipërinë

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Shkruan: Shaban Murati

Hapja nga BE e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë në 19 korrik 2022 është një hap pozitiv në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Por euforia, që ndezi për nevoja propagandistike agitpropi qeveritar nuk duhet të pengojë t’i thuhen opinioni publik shqiptar të vërtetat siç janë.

E vërteta e parë është që hapja e bisedimeve të pranimit paraqet një rrugë shumë të gjatë e plot të papritura për pranimin e vendit në BE dhe nuk duhet habitur që mund të jenë bisedime me fund i hapur, siç tregon odisea e gjatë turke e bisedimeve të pranimit në BE. Mali i Zi ka dhjetë vjet që ka hapur dhe vazhdon bisedimet e pranimit me BE. Serbia ka tetë vjet, që i ka hapur dhe i vazhdon bisedimet e pranimit. Turqia ka shtatëmbëdhjetë vjet, që ka hapur bisedimet e pranimit me BE.
Nuk dihet se sado të jetë rrugëtimi i mundimshëm i Shqipërisë në këtë proces të ri bisedimesh, i cili po i ngjan gjithnjë e më tepër sindromës së Sizifit, ku po bëhet gjithnjë e më e pamundur të çosh gurin në majën e malit, që quhet anëtarësim në BE.

E vërteta e dytë më e helmët, që nuk po i thuhet nga qeveria opinionit publik shqiptar është kushti i çuditshëm i vendosur në Kornizën Negociuese të pranimit të Shqipërisë në BE, që Shqipëria duhet t’i japë Greqisë marrëveshjen e detit siç e kërkon Athina.

Në Kornizën Negociuese të BE për pranimin e Shqipërisë, të miratuar në 19 korrik në konferencën e parë ndërqeveritare midis BE dhe qeverisë së Shqipërisë, në kapitullin “Parimet udhëheqëse të negociatave”, në faqen 11, në pikën 5, në nenin 3, thuhet tekstualisht:

– “Angazhimi i Shqipërisë për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kufitare sipas parimit të zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve në përputhje me Kartën e OKB dhe Konventën e OKB mbi Ligjin e Detit, përfshirë nëse është e nevojshme juridiksionin e detyrueshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”.

Pavarësisht se nuk përmendet emri “Greqi” është më tepër se e qartë që është fjala për marrëveshjen e detit, të cilën Greqia po kërkon t’ia imponojë Shqipërisë me çdo kusht. Shqipëria zyrtarisht nuk ka mosmarrëveshje kufitare me asnjë shtet kufitar me të. Rivendikimi i vetëm është ai i Greqisë, që insiston të diktojë pranimin e marrrëveshjes së dëmshme të detit, të nëshkruar me Greqinë nga qeveria shqiptare e vitit 2009.

Tani e shohim si kusht të detyrueshëm grek të përfshirë në Kornizën Negociuese të BE për pranimin e Shqipërisë marrëveshjen e detit me Greqinë. Kjo don të thotë që kushti dhe kurthi i Greqisë ka marrë mandatin dhe fuqinë e BE dhe është vendosur si tra i madh për t’u kapërxyer në ecurinë e bisedimeve të pranimit në BE. Greqia ka ngritur pritën e saj të madhe në Kornizën Negociuese të BE dhe ia ngrin në buzë qeverisë së Tiranës harenë e hiperbolizuar për hapjen e bisedimeve të pranimit.

Çfarë tërheq vemendjen dhe duhet parë me kujdes në këtë kusht të Greqisë, që na vjen si kusht europian në formën e Kornizës Negociuese dhe madje si një nga parimet udhëheqëse të bisedimeve të pranimit të Shqipërisë në BE.

Së pari, çfaqet në mënyrë absurde në dokumentin e BE një e ashtuquajtur mosmarrëveshje kufitare, që paska Shqipëria dhe që duhet ta zgjidhë si kusht i bisedimeve të pranimit në BE. E ashtuquajtura mosmarrëveshje kufitare është një rivendikim i qartë dhe hapur i Greqisë për kufijtë shtetërorë të Shqipërisë. Retifikimi i kufijve shtetërorë të Shqipërisë është një program i vjetër rivendikues i Greqisë, i cili u çfaq në bisedimet me Shqipërinë për marrëveshjen e zezë të detit të vitit 2009, ku qeveria shqiptare cedoi në integritetin territorial të vendit.

Përfshirja e të ashtuquajturës mosmarrëveshje kufitare me këtë përcaktim don të thotë që Greqia nuk ka hequr dorë nga retifikimi i kufijve tanë dhe nga riaktivizimi i marrëveshjes së detit të vitit 2009, të cilën e anuloi dhe e bëri nul me të drejtë Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në 15 prill 2010.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj historik e ndalon çdo lloj diskutimi dhe bërje objekt bisedimesh me Greqinë të kufijve shtetërorë detarë të Shqipërisë. Në vitin 2018 qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë bënë gabimin fatal që riaktivizuan me marrëveshjen e re me Greqinë, që do ta firmosnin në prill 2018, të njejtën marrëveshje të anuluar të detit të vitit 2009, përfshirë edhe retifikimin e kufijve të Shqipërisë, duke dhunuar paligjëshmrisht vendimin e prerë të Gjykatës Kushtetuese.

Greqia po insiston që Shqipëria të pranojë të njejtin objekt të marrëveshjes së vjetër për ndryshimin e kufijve detarë. Ndaj ka përcaktuar në kushtin e saj të Kornizës Negociuese të BE “mosmarrëveshjen për kufijtë”. Greqia e ka gjithë synimin te kufijtë. Ndaj tani ajo me zërin dhe me mandatin e BE i këkon Shqipërisë të cedojë në integritetin detar dhe tokësor.

Ky objektiv i retifikimit të kufijve tanë shtetërorë është boshti i diplomacisë detare dhe i presionit dipomatik grek mbi qeverinë aktuale shqiptare. Duke qenë se qeveria e kryeministrit Edi Rama është në pozitë të vështirë, sepse ka qenë vetë Edi Rama që e çoi në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e detit të vitit 2009 dhe ka qenë Edi Rama që ka saktësuar në padinë e tij që kufijtë mes Shqipërisë dhe Greqisë janë të përcaktuar, duke qenë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e lejon qeverinë Rama të bëjë objekt diskutimi kufijtë, atëhere Greqia i sugjeroi kryeministrit shqiptar një rrugëdalje allagreke.

Për të shpëtuar faqen e kryeministrit dhe për të marrë marrëveshjen që dëshiron, Athina i sugjeroi kryeministrit Rama që ta çojnë çeshtjen sëbashku në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Greqia synon që nëpërmjet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të imponojë retifikimin e kufijve detarë dhe kryeministri Rama të ketë alibinë e Gjykatës Ndërkombëtare për të justifikuar lëshimet e mëdha territoriale. Kjo strategji greke polli marrëveshjen e errët politike të 20 tetorit 2020 midis kryeministrit Rama dhe ministrit të jashtëm grek Dendias për ta dërguar sëbashku të dy shtetet “çeshtjen e detit” në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Nuk është e qartë se cilat janë motivet dhe forcat, që e detyruan kryeministrin Rama të pranojë sugjerimin grek për këtë hap të gabuar dhe të realizojë kështu një autogol juridik dhe diplomatik. Flet shumë fakti që kryeministri Rama prej dy vitesh nuk ia ka përmendur kurrë opinionit publik shqiptar se për çfarë do të shkojë Shqipëria në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Duket nuk mund ta thotë, sepse Greqia kërkon retifikimin e kufijve detarë dhe jo përcaktimet e shelfit kontinental apo të zonave ekskluzive ekonomike.

Çdo ekspert diplomatik dhe juridik e kupton se nëse do të ishte fjala për shelfin kontinental dhe për zonat ekonomike ekskluzive midis dy vendeve nuk ka asnjë arsye të ngrihej çeshtja e “mosmarrëveshjes kufitare” në Kornizën Negociuese të BE.

Nga ana tjetër Shqipëria dhe Greqia nuk kanë konflikt të pazgjidhshëm midis tyre për shelfin kontinental dhe për zonat ekonomike ekskluzive që të shkojnë për zgjidhje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Dy vendet nuk i kanë ezauruar bisedimet dhe mundësitë diplomatike dypalëshe për këto dy tema. Greqia dh Italia zhvilluan 47 vjet bisedime vetëm për zonat ekonomike ekskluzive, dhe megjithëse janë shtete anëtare të BE dhe të NATO-s, nuk shkuan në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Përse dhe për çfarë don të shkojë atje Shqipëria? Sepse e don Greqia, e cila kërkon dhe synon ta sanksionojë përmes Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë retifikimin e kufijve shtetërorë detarë të Shqipërisë.

Kurthi grek i Gjykatës Ndërkombëtare përmban rreziqe të mëdha, të cilat duket janë konkretizuar në arrogancën në rritje të Greqisë gjatë bisedimeve sekrete dypalëshe për arritjen e marrëveshjes së përbashkët për të shkuar në Hagë. Vetë fakti që po bëhen dy vjet dhe kjo marrëveshje nuk është arritur, tregon se përplasja e interesave të kundërta midis dy shteteve është shumë e madhe.

Kryeministri Rama e pranoi publikisht këtë gjendje kur gjate vizitës së tij në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë në 4 korrik deklaroi: “Përpara se ta hedhim këtë hap, (vajtjen në Hagë), duhet të arrijmë marrëveshjen e nevojshme për ta çuar këtë çeshtje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe kjo marrrëveshje ende nuk është arritur. Kjo nuk është thjesht dhe vetëm procedurë dakordësie ndërmjet avokatëve dhe ekspertëve teknikë të secilës palë”.

Burime diplomatike nga Brukseli bëjnë të ditur se Greqia ka pasur përkrahjen e fortë të presidencës franceze të BE në qershor 2022 në përfshirjen e kushtit grek në Kornizën Negociuese me Shqipërinë. Burimet theksojnë se Franca ia ka bërë këtë dhuratë qeverisë greke si shpërblim për blerjet greke të luftanijeve, gjuajtësve dhe raketave franceze me vlerë prej 5 miliard dollarë. Kështu që Shqipëria dhe kufijtë e saj bëhen therror i një interesi grek dhe francez njëkohësisht.

Greqia po keqpërdor statusin e anëtarit të BE për të detyruar Shqipërinë që ta paguajë integrimin e saj europian me lëshime të mëdha territoriale. E inkurajuar nga suksesi i saj në imponimin e kërkesave greke ndaj Shkupit, Greqia po zbaton metodën e saj maqedonase edhe ndaj Shqipërisë. Nën presionin dhe diktatin e Greqisë për bllokimin e integrimit të saj euroatlantik Maqedonia e Veriut ndryshoi flamuri, hymnin kombëtar, Kushtetutën dhe madje ndryshoi edhe emërin e shtetit. E dehur nga suksesi me Shkupin diplomacia greke po përdor Kornizën Negociuese të BE për të shkëputur lëshime territoriale nga Shqipëria.

E parë në planin perspektiv çeshtja e përfshirjes së kushtit grek në Kornizën Negociuese të BE merr karakter alarmant dhe e vë Shqipërinë para një dileme të madhe. A ia vlen avancimi i bisedimeve të pranimit në BE me koston e lartë të dhënies së hapësirave detare Greqisë? Asnjë qeveri e përgjegjëshme nuk mund të lejojë që kushti grek të bëhet çmimi i anëtarësimit tonë në BE. Ndaj qeveria dhe diplomacia shqiptare duhet t’i shprehin BE-së rezervat e tyre serioze për këtë kusht grek të Kornizës.

Ka një element, që duhet ta bëjnë qeverinë të reflektojë. Anëtarësimi në BE nuk është interes jetik dhe ekzistencial për Shqipërinë dhe ajo mund dhe duhet ta refuzojë kushtin grek. Integrimi europian është interes shtetëror, politik dhe ekonomik, por jo me çmimin e humbjes së integritetit shtetëror. Shqipëria duhet të anëtarësohet në BE duke përmbushur kushtet e BE, por jo kushtin aneksionist grek të cedimit territorial.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...