25/06/2024

“Ballkani i hapur” i bën shqiptarët pikë e pesë

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Kanë ngelur disi enigmat se si Ali Ahmeti, njëri nga ish krerët e Lëvizjes Popullore të Kosovës, më vonë edhe i ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e themelues i ish Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, po bëhet gardian i projektit ballkanik! Opozita shqiptare konsideron se Maqedonia e Veriut nuk e ka vendin në një nismë në të cilën Serbia shfaqet si shteti kryesor, ndërsa vazhdon të ketë marrëdhënie të shkëlqyera me Rusinë. Një pjesë e madhe e shqiptarëve të Shqipërisë nuk mund ta kuptojnë se projektet që i atribuohen tokës ballkanike bartin me vete reminishenca të së kaluarës së saj të përgjakur.

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

“Një komb, një gjuhë, një atdhe”! Kjo është parullë e njohur, mbase shumë etno-romantike dhe populiste, por ajo vetëm tingëllon bukur dhe politikanët shqiptarë, kudo që janë, e përdorin shpesh për vota, ndërsa në fakt punojnë ditë e natë kundër saj.
“Ballkani i hapur”, një projekt i cili synon bashkëpunim më të madh ekonomik, ka bashkuar Shqipërinë dhe Serbinë, së bashku me Maqedoninë e Veriut, por e ka ndarë Shqipërinë dhe Kosovën. Në njërën anë ka lënë Edi Ramën, së bashku me Ali Ahmetin, kreun e BDI-së, por edhe kreun e partisë Alternativa, Afrim Gashi, ndërsa në anën tjetër e ka nxjerrë Albin Kurtin, kryeministrin e Kosovës, së bashku me drejtuesin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela e atë të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami nga Maqedonia e Veriut. Dritan Abazoviqi, kryeministri me prejardhje shqiptare i Malit të Zi, si politikan pragmatik që është, ka zgjedhur të mbajë qëndrim neutral ose, më mirë thënë, të papërkufizuar ndaj projektit rajonal bashkëpunues.

Ali Ahmeti, pioner i “Ballkanit të hapur”

Njëri nga ideatorët, por edhe promotorët kryesorë të “Ballkanit të hapur”, Edi Rama, e ka vlerësuar shumë lart rolin e liderit integrist, Ali Ahmeti në ngritjen e themeleve, por edhe mbindërtimin e konceptit të ri për bashkëpunim rajonal. “Ali Ahmeti është një nga pionierët e Ballkanit të Hapur, edhe kur ne nuk ishim akoma këtu ku jemi”, ka thënë Rama. Vetë Ahmeti, sikur jo vetëm që e ka pohuar deklaratën mirënjohëse të Ramës, por edhe është entuziazmuar nga e njëjta. “Unë kam 20 vjet që flas për pajtimin e rajonit. Ka 20 vjet që e kam promovuar se në luftë të përhershme s’mund të jetojmë, që në hasmëri të përjetshme nuk mund të mbijetojmë dhe e kam promovuar në kohë shumë të vështira, sepse duhej të arrihej një pajtueshmëri midis dy komuniteteve më të mëdha këtu në Maqedoni”, tha Ahmeti.

Lideri i BDI-së, duke e mbrojtur idenë e bashkëpunimit rajonal, ka përdorur paqen si argument kryesor. “Duke lënë të hapura problemet, paqja rrezikohet dhe lufta afrohet dhe ne duhet të vendosim a do të zgjedhim paqen apo do të punojmë që të hapim fronte e luftëra të reja”, tha Ahmeti.

Megjithëse Ahmeti shpjegon metamorfozimin e tij në trajektoren individuale dhe partiake-politike, në funksion të paqes, bashkëpunimit rajonal e ndërtimit të urave të reja ballkanike, duke i lënë pas luftërat, së bashku me mosdurimet dhe urrejtjen etnike, disi sikur kanë ngelur enigmat se si njëri nga ish krerët e Lëvizjes Popullore të Kosovës, më vonë edhe i ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e themelues i ish Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (në Maqedoninë e Veriut), po bëhet gardian i projektit ballkanik! Ahmeti, disa herë, me mburrje të lartë ka deklaruar se ka qenë pikërisht njëri ndër ata që e ka prishur Jugosllavinë, ndërsa kritikët e tij dhe opozita pyesin, më shumë ironikisht, se si ai tani po luan rolin e arkitektit të një projekti, në të cilin, krahas Shqipërisë, rolin dominues e ka Serbia. Rrugëtimi i gjatë politik në Ballkan jo vetëm që të vendosë në kryqëzime, por ndonjëherë të vendosë në pozicione që për publikun duken paradoksale, edhe pse pragmatike, mbase për të dhe përkrahësit e tij mund të duken krejtësisht veprime legjitime.

Partia e Ali Ahmetit, Bashkimi Demokratik për Integrim, është pjesë e qeverisë së Maqedonisë së Veriut, e cila është njëra nga tri shtetet që e mbështesin dhe duan ta jetësojnë “Ballkanin e hapur”. Prandaj roli i Ahmetit është i tillë, edhe pse Kosova nuk e ka ndërmend ta mbështesë këtë ide. Meqë veprimtarinë e tij 20-vjeçare politike dhe ushtarake ia ka kushtuar Kosovës dhe arritjes së pavarësisë së saj, nuk është thjesht frazë thënia e njohur “Asnjëherë (në politikë) mos thuaj asnjëherë”!

Opozita shqiptare kundër “Ballkanit të hapur”

Në anën tjetër, Aleanca për Shqiptarët e ka ndarë mendjen se është kundër projektit ballkanik. Sipas kreut të ASH-së, Ziadin Sela, ky projekt nuk ka asnjë kuptim për aq kohë sa Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës. Aleanca për Shqiptarët e ka ndjekur vijën zyrtare të politikës kosovare, e cila është shprehur kundër “Ballkanit të hapur”, duke përdorur argumentin se Serbia duhet të kërkojë falje për krimet e bëra gjatë luftës në Kosovë dhe ta njohë pavarësinë e saj! Të njëjtin qëndrim e ka mbajtur edhe Lëvizja BESA.

Opozita shqiptare konsideron se Maqedonia e Veriut nuk e ka vendin në një nismë, në të cilën Serbia shfaqet si shteti kryesor, ndërsa në anën tjetër vazhdon të ketë marrëdhënie të shkëlqyera me Rusinë, e cila ka bërë agresion të njëanshëm ndaj shtetit dhe popullit ukrainas.

Qëndrimet i modelon pozicioni politik

Është e njohur që partitë shqiptare qëndrimet e tyre mbi çështjet e brendshme, por edhe ato rajonale i ndërtojnë varësisht se a janë në pushtet apo në opozitë. Ngjashëm, është edhe me qëndrimet ndaj “Ballkanit të hapur”, edhe pse kundërshtarët janë pak sa më agresivë gjatë kontestimit të projektit, ndërsa mbrojtësit dhe promovuesit e tij nuk është se afirmimin e tij e bëjnë me ndonjë entuziazëm shumë të madh! Madje, eksponentë politik që i përfaqësojnë shqiptarët në pushtet, me përjashtim të Ahmetit dhe ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, nuk janë parë të jenë pjesë e debatit politik dhe publik në rolin e apologjetëve të projektit të ri, në të cilin pjesë e rëndësishme është Serbia dhe presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili ka qenë ministër i Informacionit në kohën e Sllobodan Millosheviqit.

Natyrisht, askush nuk e konteston se projekti do të sjellë edhe të mira ekonomike, do ta lehtësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe qarkullimin e lirë të mallrave, ideve dhe kapitalit. Por, një pjesë e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë jetuar, duke i ndjekur zhvillimet politike në Kosovë, nuk mund ta kapërcejnë aq lehtësisht faktin që Serbia ka rol shumë të rëndësishëm në këtë projekt. Nuk duhet harruar as faktin që një pjesë e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut kanë prejardhje nga Kosova, ndërsa lidhjet miqësore dhe familjare me shqiptarët e Kosovës kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të afërta. Së këndejmi, nuk duhet pritur nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut të kenë qëndrime të ngjashme me ato të shqiptarëve të Shqipërisë, të cilët kanë qasje tepër të ftohtë dhe distancuese ndaj bashkëpunimit rajonal ekonomik, por edhe kulturor e në fusha tjera.

Mbase, duke qenë rreth gjysmë shekulli të izoluar dhe duke jetuar në skamje të skajshme, duke i parë në media vuajtjet dhe sakrificat e panumërta të shqiptarëve të Kosovës, një pjesë e madhe e shqiptarëve të Shqipërisë, sidomos ajo që quhet elitë intelektuale dhe politike, nuk mund ta kuptojnë se projektet që i atribuohen tokës ballkanike bartin me vete shumë reminishenca të së kaluarës së saj të përgjakur. Andaj, nuk është aspak e jashtëzakonshme që intelektualë, si Fatos Lubonja ose Mustafa Nano e shumë të ngjashëm si ata, kërkojnë me ngulm që të ketë bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Serbisë, duke i dhënë përparësi pragmatizmit dhe mirëqenies ekonomike, e jo sentimentalizmit që e prodhon historia e dhimbshme mes shqiptarëve dhe serbëve!

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...