Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në adresimin e fundvitit ka siguruar qytetarët se “çdo marrëveshje që do të nënshkruhet (në dialogun me Serbinë), do të jetë në të mirë të vendit tonë”.
Ai ka garantuar se asnjë marrëveshje që do të nëshkruar në kuadër të këtij procesi, nuk do ta kërcënojë sigurinë e integritetin territorial, kushtetutshmërinë e rendin ligjor të Kosovës.
“Kosova jonë është në prag të një të ardhmeje që është më afër asaj se çka e meritojmë dhe për të cilën kemi punuar intensivisht”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka folur edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën që hyn në fuqi nga 1 janari i vitit 2024.
Kreu i ekzekutivit kosovar është shprehur se po i jepet fund pritjes shumëvjeçare të qytetarëve.
“Qeveria jonë shërben bashkë me ju dhe për ju. Prandaj, ju ftoj që të bashkëpunoni sa më shumë me ne. Kemi kaluar periudha të vështira të ndërtimit të shtetësisë tonë dhe tash është koha që të zhvillojmë e ndërtojmë vendin që e meritojmë dhe të jetësojmë vizionin tonë të përbashkët”, ka deklaruar Kurti.
Tutje, ai ka lavdëruar qeverisjen e tij më 2023, ndërsa ka thënë se më 2024 duhet të reflektohet mbi mësimet e marra.
“Kemi arritur në fund të një viti që, pa dyshim, ka lënë gjurmë në shtetin tonë. Teksa po e lëmë pas 2023-tën, një vit transformues, le të ngulisim në kujtesën tonë e të reflektojmë mbi mësimet që i kemi marrë, e të arriturat që i kemi shënuar. Ju falënderoj përzemërsisht dhe uroj që viti i ardhshëm 2024 të jetë i mbushur me paqe e dashuri, prosperitet dhe unitet për të gjithë ne. Gëzuar vitin e ri nga Qeveria jonë!”, tha ai.