Kreu i ekzekutivit kosovar tutje ka thënë se zbardhja e plotë e rastit të Liridonës është drejtësi dhe se “i drejtë presim të jetë dënimi, pra maksimal”.
“Dhuna ndaj grave është fenomen global e i lidhur edhe me valën në ngritje të ekstremit të djathtë. E megjithatë është një dozë edhe më e thellë e dhembshurisë kur femicidi shfaqet në një shoqëri edhe pas mbijetimit kolektiv të gjenocidit”, është shprehur kryeministri.
Kurti ka deklaruar se “vrasja e porositur e Liridona Ademajt nga burri i saj” dhe “kidnapimi i 14-vjeçares” në Shkup kanë renduar mendjet dhe zemrat e të gjithëve.
Ai ka thënë porositësit dhe kryerësit e rastit të Liridona Ademajt janë kapur e vënë prapa grilave, por thotë se vetëm arrestimi nuk mjafton.
“Vrasjet e fundit, vrasja e porositur e Liridona Ademajt nga burri i saj dhe kidnapimi nga shkolla e më pas edhe vrasja e 14-vjeçares në Shkup, na ka rënduar mendjet dhe zemrat tona. Porositësit dhe kryerësit e rastit të Liridonës janë zënë e janë vënë prapa grilave. Policia syçelë si kurrë njëherë po vepron shpejt e me efikasitet të lartë. Por, nuk po mjafton vetëm arrestimi i kriminelëve”.
Sipas tij, Gjykatat duhet t’i trajtojnë me prioritet rastet e dhunës ndaj grave dhe vajzave dhe se duhet dënim meritor.
“Sepse ata po e dinë që ka raste të ngjashme e jo të pakta, kur kriminelët lirohen e veprat po përsëriten e madje edhe më rëndë se herën e parë. Kemi nevoje që krejt sistemi i drejtësisë t’i bëjë prioritet trajtimin e rasteve të dhunës ndaj vajzave dhe grave dhe të japë dënime meritore për dhunuesit e kriminelët. Nuk kemi si ta themi që duhet dënim meritor”.
“Butësia e dënimit po shkakton përsëritjen e krimit. Vënia e drejtësisë është kusht i domosdoshëm për një shoqëri të lirë e demokratike, çfarë aspirojmë të mbesim përherë. Është koha e fundit që të vetëdijesohemi e të veprojmë se bashku ne që mendojmë e diskutojmë se bashku”, ka theksuar Kurti. /Telegrafi/